Sport

Europiani U-19/ Nesër sfida me Belgjikën!

Kombëtarja U-19 po përgatitet për sfidat zyrtare të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2023, ndeshje që do të zhvillohen në Belgjikë në datat 21-24 shtator. Takimi i parë do të jetë nesër kundër Belgjikës, ndërsa tre ditë më vonë, ndaj Spanjës. Ekipi përfaqësues i drejtuar nga Armando Cungu është shortuar në grupin 7 dhe përballë do të kenë bashkëmoshatarët e përfaqësueseve të Spanjës dhe Belgjikës. Kuqezinjtë janë grumbulluar fillimisht në Durrës ku kanë zhvilluar disa seanca stërvitore dhe më pas kanë udhëtuar drejt Belgjikës, ku nesër do të luajnë edhe sfidën e parë ndaj vendasve. Cungu ka ftuar 20 lojtarë për këto dy sfida, ndërkohë që sipas teknikut gjendja e grupit është e mirë dhe gjithçka është gati për premierën në edicionin e radhës të Evropianit për këtë moshë. Tekniku kuqezi është optimist.

Gjendja e grupit është optimale me ndonjë përjashtim të vogël të ndonjë lojtari që ka shqetësime fizike, por do të jemi të kompletuar për ndeshjen e parë të eliminatoreve nesër. I referohem edhe përgatitjeve që kemi zhvilluar në Durrës, të gjithë djemtë kanë punuar mirë dhe më kanë lënë përshtypje të mira në vija të përgjithshme sa i përket pritshmërive. Është grup i ri i vitlindjes 2005 dhe 2006, janë lojtarë që premtojnë edhe për vazhdimësinë dhe grupi është solid dhe ka dëshirë të madhe për të luajtur futboll dhe arritur rezultate. Kjo është shumë e rëndësishme për mua si trajner.

Ne edhe sot kemi pasur një analizë video, ku kemi studiuar në detaje kundërshtarin. Patjetër, është e tepërt të flasim për forcën e Belgjikës, por çdo ekip sado i fortë të jetë ka edhe dobësitë e veta. Ne kemi për detyrë për tentojmë të shfrytëzojmë pikat e dobëta të kundërshtarit, sikurse duhet të jemi shumë të kujdesshëm për forcën e Belgjikës dhe Spanjës, dy skuadra të niveleve më të lart botërore në të gjitha moshat.

Në fund të fundit, është edhe një kënaqësi për djemtë që të luajnë futboll ndaj këtyre rivalëve, është një mundësi mjaft e mirë edhe për karrierën e tyre që të tregojnë vlerat dhe kjo eksperiencë do t’i ndihmojë djemtë të rriten dhe të bëhen më të fortë. Nëse duam të rritemi duhet të përballemi dhe të testojmë vlerat me ekipet më të forta në qarkullim dhe këtë duhet të shfrytëzojmë, duke shfaqur entuziazëm në lojën tonë.