Bota Botë e Çuditshme

FBI gjen pikturën 300-vjeçare, ishte vjedhur nga një ushtar në Luftën e Dytë Botërore!

Së fundmi, FBI dorëzoi me një ceremoni në konsullatën gjermane në Çikago një vepër të vjedhur të artistit austriak të shekullit 18-të, Johann Franz Nepomuk Lauterer. Art Recovery International, një kompani e fokusuar në gjetjen dhe rikuperimin e artit të vjedhur dhe të grabitur, e gjeti pikturën pasi një burrë nga Çikago e kontaktoi atë vitin e kaluar duke pretenduar se kishte në posedim një pikturë “të vjedhur” që i solli xhaxhai i tij në SHBA pasi kishte shërbyer në Luftën e Dytë Botërore. Piktura ishte zhdukur që nga viti 1945 dhe u shtua në bazën e të dhënave të Fondacionit Gjerman për Artin e Humbur në 2012.

Piktura, e titulluar “Landscape of an Italian character”, do të ribashkohet tani me pikturën e saj “binjake”, e cila ndan motive dhe imazhe të ngjashme. Dy pikturat së bashku formojnë një skenë panoramike të barinjve dhe udhëtarëve me dhitë, lopët, gomarët dhe delet e tyre në një kalim lumi. Ato së shpejti do të ekspozohen së bashku për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore në Alte Pinakothek të Mynihut.