Art & Kulturë Film & Tv

Festivali i Filmit në Berlin 2023, dokumentari francez “Sur l’Adamant” fitues i Ariut të Artë!

Festivali i Filmit në Berlin mbylli siparin. Në një edicion po ashtu befasues, por më pak politik se zakonisht, ishte një dokumentar francez kushtuar problemeve të shëndetit mendor që u vlerësua me Ariun e Artë. “Sur l’Adamant” i Nicolas Philibert triumfoi në këtë edicion të 73-të dhe që për 10 ditë tregoi një qytet “të uritur” për kinemanë. Në Berlin, sallat u mbushën me qindra mijëra njerëz që u vunë në radhë për të parë realizimet në garë.

Në fokus është Adamant, qendër kujdesi në Paris, për persona me çrregullime mendore. Regjisori Nicolas Philibert u shpreh:

Njerëzit më të çmendur nuk janë ata që ne besojmë. Kufiri mes mjekëve dhe pacientëve është i mjegullt.

Aktorja e njohur amerikane, Kristen Stewart kryesoi jurinë, përvojë që u përshkrua si “e paharrueshme” nga 32-vjeçarja.

Filmat i shihnim gjithnjë bashkë, si juri. Duke i parë bashkë, dhurohej një energji fizike që rritej dhe kjo kishte rëndësi. Puna jonë lidhej me gjetjen e filmave që na bënin më shumë të reflektonim, jo më të mirët.

Përkrah saj, Stewart pati aktoren iraniano-franceze Golshifteh Farahani, regjisorin rumun Radu Jude, producenten Francine Maisler, regjisoren gjermane Valeska Grisebach, atë spanjolle Carla Simón fituese e vitit të kaluar e Ariut të Artë për Alcaras, si dhe maestron mitik nga Hong Kongu, Johnnie To, i njohur si regjisor, skenarist e producent.

Çmimet e Edicionit të 73-të:

Ariu i Artë për Filmin më të Mirë: Sur l’Adamant i Nicolas Philibert

Ariu i Argjendtë Çmimi i Madh i Jurisë: Roter Himmel i Christian Petzol

Ariu i Argjendtë Çmimi i Jurisë: Mal viver i João Canijo

Ariu i Argjendtë për Regjinë më të Mirë: Philippe Garrel për Le grand chariot

Ariu i Argjendtë për Interpretimin më të Mirë: Sofia Otero për 20.000 Species of Bees

Ariu i Argjentë për Interpretimin më të Mirë në Rol Mbështetës: Thea Ehre në Bis ans Ende der Nacht

Ariu i Argjendtë për Skenarin më të Mirë: Angela Schanelec për Music

Ariu i Argjendtë për Kontributin më të Mirë Artistik: Hélène Louvart për Fotografinë e Disco Boy

Seksioni Encounters

Filmi më i mirë: Here i Bas Devos

Regjia më e mirë: El Echo i Tatiana Huevos

Çmimi Special i Jurisë: “Orlando, ma biographie politique” i Paul B. Preciado dhe Samsara i Lois Patiño

Çmimi për Veprën e Parë më të Mirë: The Klezmer Project i Leandro Koch and Paloma Schachmann

Çmimi për Dokumentarin më të Mirë: El Echo i Tatiana Huevo