Aktualitet

Fitër Bajrami, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uron besimtarët!

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi sot besimtarët myslimanë kudo që ndodhen për festën e Fiter Bajramit që festohet nesër.

Pas Muajit të Ramazanit, muaj ku ndërlidhen përkushtimi e sakrifica, muaj në të cilin qenia jonë u shkëput nga përditshmëria materiale e muajve të tjerë, nesër, të gjithë besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin, festën që kurorëzon sakrificën 30 ditore, dhe siç na ka premtuar Zoti (xh.sh.) në Kuranin Famëlartë, pas vështirësisë vjen lehtësimi. Bajrami është festë, është gëzim që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër.

Spahiu apelon për angazhim të vazhdueshëm për një shoqëri të drejtë e solidare.

Sakrifica dhe devotshmëria e Muajit të Ramazanit duhet të jenë shembull i angazhimit tonë për adhurimin e Zotit të Gjithësisë ndërsa solidariteti dhe dashuria që e karakterizojnë festën e Fitër Bajramit të jenë vlera të përhershme të shoqërisë dhe mbarë njerëzimit!

I lutem Zotit të mëshirojë të gjithë të dashurit tanë që nuk jetojnë më! T’u japë shërim dhe t’i lehtësojë dhimbjen çdo të sëmuri! Për më të varfrit dhe nevojtarët e shoqërisë tonë,  t’ua largojë barrën e rëndë dhe shtrëngimin që sjell skamja! I lutemi Zotit për kombin tonë, për rininë, për mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe gjithsecilin që punon për sigurinë, mirëqenien dhe prosperitetin e vendit tonë!

Gëzuar Fitër Bajramin me urimet më të përzemërta! Paçim të gjithë së bashku sa më shumë mbarësi e begati në familjet tona dhe në vendin tonë të dashur, Shqipërinë!