Aktualitet Rajoni

Fitër Bajrami në Kosovë, Myftiu Tërnava: Braktisja e vendit nuk është zgjidhje!

Si në mbarë botën, edhe besimtarët myslimanë në Kosovë po festojnë ditën e parë të Fitër Bajramit. Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë ndërsa u përcollën mesazhe paqeje, për angazhim në të mirë të Republikës e thirrje për të mos braktisur vendin. Myftiu Naim Tërnava tha se Bajrami i Madh sjell gëzim e lumturi në shpirtin dhe zemrën e besimtarit pas një muaj agjërimi në Ramazan.

Festa e Fitër Bajramit bart në vete gëzimin, harenë, lumturinë dhe çiltërsinë në shpirtin dhe zemrën e besimtarit. Të gjithë besimtarët gjithandej globit me plot arsye sot festojnë, urojnë e përgëzojnë ngase për një muaj rresht me bindje e përkushtim kanë zbatuar urdhrin e krijuesit të gjithësisë, duke agjëruar në muajin Ramazan, muajin Ramazan të cilin sapo e lamë pas, me mirësi e begati të tij si asnjë muaj tjetër.

Vetëm një familje e shëndoshë dhe e edukuar mirë është themeli për një komunitet e shoqëri me vlera e parime fisnike. Familja tek populli ynë në vazhdimësi ka qenë institucioni më i besuar dhe më i çmuar vlera këto të cilat duhen trasuar e ruajtur me xhelozi dhe duhen kultivuar ato te brezat e rinj.

E kemi obligim që ta ruajmë dhe ngremë vendin tonë aty ku e meriton. Ka dashur Zoti që tash e disa vite vendi ynë është i lirë dhe i pavarur, mirëpo është obligim ynë që vendin tonë ta ndërtojmë e ta bëjmë me persepektivë, një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët tanët rriten të sigurtë e të marrin edukim e arsim cilësor, një vend ku sigurohet vende pune e jetë të dinjitetshme për bijtë e bijat tona… Falë sakrificës shekullore të popullit tash e sa kohë shtetin tonë e kemi realitet, por si qytetarë të këtij vendi e kemi obligim që ta bëjmë më të mirën për vendin tonë, që ta bëjmë atë të jetueshëm për të gjithë kategoritë e shoqërisë.

Tërnava u ndal edhe te një fenomen tjetër shqetësues, e që është braktisja e vendit nga të rinjtë dhe ekspertë të fushave të ndryshëm.

Braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë kohë nuk ka për qëllim kryesor e mision vetëm anën materiale. Dashtë Zoti vendi ynë me angazhimin tonë të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet. Vendi ynë merr peshë e kuptim vetëm me bijtë e bijat e saj atëherë kur i kemi shtëpitë tona plot, me bijë e bija, me nipa e mbesa, kur çerdhet e shkollat t’i kemi në funksion të edukimit e mësimit se në të kundërtën i mbetemi borxh vendit dhe brezave që vijnë. E kemi obligim ta duam dhe ta ndërtojmë vendin.