Aktualitet Rajoni

Fondacioni për Ballkanin e Gjelbër: Vendet e rajonit, të papërgatitura nga kriza energjetike!

Një raport i Fondacionit për Ballkanin e Gjelbër thekson se “kriza energjetike i ka gjetur të papërgatitura vendet e Ballkanit Perëndimor. “Më të prekurat nga kjo krizë janë Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria”. Dokumenti me titull: “Kriza energjetike në Ballkanin Perëndimor: Masat e ndërmarra në kohën e rritjes së çmimeve të energjisë”, nënvizon se “çmimet e larta të importeve do të rëndojnë ekonomitë e këtyre shteteve, duke krijuar probleme me shpenzimet publike”.

Nëse kriza energjetike vazhdon me këtë ritëm do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut duke filluar nga muaji nëntor 2022, ndërsa në Kosovë ndërprerje dy orëshe të energjisë elektrike pati edhe në gusht.

Për Kosovën shprehet shqetësimi se “mund të përballet me krizë të thellë energjetike gjatë dimrit, në pamundësi për të përmbushur nevojat e saj me prodhimin e brendshëm dhe nga mungesa e energjisë në treg”. Fondacioni i vlerëson “të vonuara” veprimet e qeverisë së Kosovës për zbutjen e situatës me krizën energjetike.

Vendeve të Ballkanit Perëndimor iu bëhet thirrje “të rrisin skemat sociale për të mbështetur konsumatorët e varfër, të parandalojnë dëmtimin ekonomik për bizneset e industritë e të forcojnë bashkëpunimin rajonal, duke krijuar sistem më të mirë të shkëmbimit të energjisë”.

Ndërkohë, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi vendimin për të zgjatur me gjashtë muaj emergjencën lidhur me krizën energjetike në vend. Autoritetet zotohen të sigurojnë se do të bëhen furnizime të nevojshme me energji elektrike dhe gaz. Po ashtu, pritet të vazhdojnë subvencionimet për kompanitë kryesore të prodhimit të energjisë elektrike, që konsumatorët t’i përballojnë më lehtë muajt e dimrit.

Ekziston mundësia që furnizimi me gaz të bëhet nga Serbia, nëse Shkupi arrin ta sigurojë me çmim më të lirë. Por, kjo varet nga prodhuesi rus Gazprom. Kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut janë kryesisht të bazuara te qymyri, që gjithashtu është mungesë.

Kriza energjetike ka nxitur mjaft debate politike. Opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE/ja akuzon qeverinë për shpërfilljen e gatishmërisë së opozitës për të ndihmuar në zbutjen e saj. Ndonëse, qeveria siguron konsumatorët se nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike deri në fund të vitit, nga ana tjetër paralajmëron se Maqedoninë e Veriut e pret një dimër tejet i vështirë.