Bota

Franca nuk do të ketë qeveri të unitetit kombëtar!

Për momentin, presidenti francez, Emmanuel Macron përjashton mundësinë e krijimit të një qeverie të unitetit kombëtar. Në këtë përfundim, shefi i Elizesë doli pas konsultimeve me liderët e partive politike. Duke iu drejtuar francezëve, për herë të parë që nga balotazhi parlamentar i 19 qershorit kur partia e tij humbi shumicën parlamentare, Macron pranoi se ka ndasi në rritje, si dhe i bëri thirrje klasës politike të mësojë të qeverisë e të miratojë ligje në një tjetër mënyrë.

Dëgjoj dhe jam gati të marr përsipër dëshirën për ndryshim, që vendi e ka shprehur qartë.

Subjekti i presidentit francez nuk mundi të sigurojë një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare e duhet të krijojë koalicion. Macron u bëri thirrje votuesve t’i sigurojnë një shumicë solide, por pa sukses. Koalicioni i tij i qendrës humbi dhjetëra vende në zgjedhjet që shpërfaqën ndasi të konsiderueshme në politikën franceze.

Sipas Ministrisë së Brendshme, kampi qendror i Macronit fitoi 245 vende ndërsa i duheshin 289. Pas sigurimit të mandatit të dytë si president, në prill të këtij viti, shefi i Elizesë shpresonte për përkrahje më të madhe parlamentare. I dyti u rendit Nupes, i krahut të majtë, me 131 vende në Asamble. Ky bllok drejtohet nga Jean-Luc Melenchon dhe siguroi një rezultat të mirë në balotazhin parlamentar të një dite më parë. Lideri i së majtës ekstreme u shpreh i kënaqur për suksesin e arritur, pas bashkimit të partive të komunistëve e të gjelbërve në aleancën Nupes. Partia e ekstremit të djathtë, Marshi Kombëtar, nën drejtimin e Marine Le Pen doli e kënaqur nga zgjedhjet e tani do të ketë 89 deputetë, një fitore më e madhe nga sa u parashikua në sondazhe.

Më 5 korrik, kryeministrja franceze, Elisabeth Borne do të paraqesë programin e qeverisë. Në fokus, një ligj i ri për Shëndetësinë, që mundëson kufizimet kundër koronavirusit edhe pas shfuqizimit të gjendjes së emergjencës kombëtare, në fund të muajit të ardhshëm. Ndërkohë, pritet të hyjë në fuqi një ligj për fuqinë blerëse, që parashikon ndihma të reja për francezët në nevojë, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve.