Bota

“Gazprom” redukton gazin tranzit përmes Ukrainës!

Hungaria do t’i japë dritën jeshile një embargoje të BE-së ndaj naftës ruse vetëm nëse sanksionet përjashtojnë naftën bruto të dërguar nga Moska përmes naftësjellësve. Këtë e deklaroi ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.

Nëse Brukseli dëshiron të jetë serioz për embargon e naftës, kjo do të jetë e mundur vetëm duke përjashtuar pjesën e destinuar për naftësjellësit.

Ndërkohë, gjiganti rus i energjisë “Gazprom” konfirmoi se më pak gaz po transportohet përmes Ukrainës në Europë, pasi Kievi njoftoi se do të reduktojë sasinë për shkak të luftës.

Gazprom do të dërgojë gazin rus në një sasi prej 72 milion metrash kub për tranzit përmes territorit të Ukrainës më 11 maj.

Ky nivel paraqet një ulje të vëllimit të porosive prej 95.8 milion metër kub krahasuar me një ditë më parë.

Një ditë më parë, ministri francez i Çështjeve Europiane, Clement Beaune, bëri të ditur se “anëtarët e Bashkimit Europian mund të arrijnë një marrëveshje gjatë kësaj jave lidhur me propozimin e Brukselit zyrtar për ndalesën e të gjitha importeve të naftës nga Rusia”. Në fillimjavë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, informoi se është shënuar përparim në bisedimet me kryeministrin hungarez Orban, për ta bindur të ndryshojë qëndrim.

Kujtojmë se më 4 maj, von der Leyen, prezantoi propozimin e KE-së, si pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Por, për ta miratuar kërkohet mbështetja unanime e 27 shteteve anëtare të bllokut europian. Para Parlamentit Europian në Strasburg, von der Leyen pranoi se nuk do të jetë e lehtë. Disa shtete anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse. Zyrtarja e lartë nuk përmendi asnjë përjashtim nga kjo ndalesë, edhe pse Hungaria e Sllovakia, dy shtete anëtare të Bllokut, janë shumë të varura nga importet e energjisë ruse dhe shprehen kundër embargos.

Brenda 6 muajsh, ne do të heqim dorë prej furnizimeve nga nafta e papërpunuar ndërsa deri në fund të vitit, edhe nga produktet e rafinuara. Kjo do të jetë ndalesë e plotë ndaj importit të naftës ruse, që vjen nga cisternat dhe tubacionet. Nuk do të jetë e lehtë! Disa shtete anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse. Por, ne thjesht duhet të punojmë për këtë.