Bota Botë e Çuditshme

Gjendet brenda fshesës me korrent në hotelin Ritz në Paris unaza me vlerë 750,000 euro!

Një unazë me vlerë 750,000 euro, e cila kishte humbur në një dhomë në hotelin Ritz në Paris, u gjet brenda një fshese me korrent. Unaza i përkiste një vizitoreje nga Malajzia. Sipas “Le Parisien”, unaza është gjetur, por nuk dihen rrethanat në të cilat ajo ka humbur.

“Ne dëshirojmë të falënderojmë stafin e Ritz Paris që u mobilizua për këtë hetim dhe që punoi me integritet dhe profesionalizëm”,-tha klientja për Le Parisien, që është një biznesmene malajziane. Ajo i kishte thënë policisë se e kishte lënë unazën në një tavolinë, teksa po bënte pazar në qytet për disa orë dhe pohoi se kur u kthye në dhomë, ajo ishte zhdukur.

Nuk është hera e parë që hoteli i famshëm në Place Vendome bën lajme globale për një vjedhje. Sipas “Guardian”, në vitin 2018, një anëtare e familjes mbretërore saudite raportoi vjedhjen e bizhuterive në vlerë prej 800 mijë eurosh nga suita e saj, ndërsa disa muaj më parë pesë persona të armatosur hynë në hotel dhe u larguan me 4 milionë euro bizhuteri.