Sport

Gjermania e ‘rrëmbeu’ para FSHF-së, sulmuesi i Bundesligës vjen në Tiranë

Luajnë në pozicionet ekstreme të fushës, por vëllezërit Weiper kanë bërë mirë në karrierë edhe pse 18 dhe 19 vjeç. Fjala është për Henrik dhe Nelson Weiper. Nelsoni është pjesë e sulmit të Mainz në Bundesligë, duke luajtur në 9 takime sezonin që sapo u mbyll, teksa gjeti edhe dy herë rrugën e rrjetës.

Djaloshi me origjinë shqiptare por i lindur në Mainz është pjesë e moshave U-18 të Gjermanisë, duke luajtur në disa ndeshje. Sulmuesi duket se ende nuk e ka zgjedhur ekipin e parë Kombëtar, me FSHF-në që duhet të “luftojë” për të afruar të riun e talentuar.

Nga ana tjetër, Henriku 19-vjeçar luan në portë dhe verën e shkuar la Offenbach në Gjermani për të kaluar në SHBA me Brown Bears. Djaloshi është pjesë e U-21 të Shqipërisë, teksa ka luajtur pesë takime me moshat tona.

Nëse Henriku është pjesë e kuqezinjve, një gjë e tillë nuk vlen për të vëllanë, Nelsonin. Sulmuesi i Mainz duket se i ka dhënë një sinjal FSHF-së, me vëllezërit që kanë pozuar këtë të enjte nga sheshi “Skënderbej” në Tiranë.