Bota

Gjermania shtetëzon gazin, masa radikale përballë frikës nga tkurrja e rezervave

Në përpjekjet e fundit për të kompensuar reduktimin e mundshëm të gazit, qeveria gjermane ka deklaruar se do të shtetëzojë importuesin më të madh të gazit në vend, “Uniper”.

Lëvizja parashikon që Berlini t’i blejë pronësinë kompanisë finlandeze “Fortum” për 500 milionë euro dhe të rrisë kapitalin me 8 miliardë euro.

“Uniper” u godit rëndë pasi Rusia mbylli rubinetet e gazsjellësit “Rrjedha e Veriut 1”, duke e detyruar vendin të blejë gaz në tregje të tjera, me çmime më të larta.

Lëvizja vjen gjithashtu pas vendimit të javës së kaluar të qeverisë për të sekuestruar rafineritë e kompanisë ruse të gazit “Rosneft”. Qeveria gjermane deklaroi se konfiskimi ishte i nevojshëm për të garantuar sigurinë energjetike.

Tani Berlini deklaron se ndërhyrja radikale ndaj “Uniper” është e justifikuar pasi kompania është një shtyllë e furnizimit të Gjermanisë me energji. Faktikisht, ajo furnizon me gaz disa qindra komuna të Gjermanisë.

Qeveria gjermane ka paralajmëruar vazhdimisht se falimentimi i saj do të kishte një efekt të ngjashëm me atë të bankës “Lehman Brothers” në tregun gjerman dhe do të shkaktonte tkurrje të rezervave në mbarë vendin.