Travel

Gjithçka rreth masivit shkëmbor Ennedi, mrekullia gjeologjike që ndodhet në Afrikë!

Masivi shkëmbor Ennedi në Afrikë, përmban një numër të jashtëzakonshëm veprash të artit parahistorik, mirëpo kjo mrekulli gjeologjike njihet shumë pak në botë. Gjatë miliona viteve, era dhe shiu e kanë skalitur këtë masiv që gjendet në cepin e largët verilindor të Çadit, ndërsa njerëzit e lashtë e kanë dekoruar këtë peisazh, duke pikturuar dhe gdhendur mijëra imazhe në shkëmb. Arritja në këtë rajon nuk është aspak e lehtë, pasi vizitorëve u duhet të kalojnë 1000 km rrugë me gropa nga kryeqyteti N’Djamena dhe përmes Saharasë.

Për shkak të largësisë dhe faktit që Çadi deri vonë ka vuajtur nga konfliktet e dhunshme, turistët nuk kanë guxuar të shkojnë dhe të eksplorojnë vendin. Pak shkencëtarë kanë qenë në gjendje të mbërrijnë në këtë vend unik, ndaj besohet se 75% e masivit ende nuk është studiuar. Megjithatë, ata që vendosin të bëjnë këtë udhëtim, do të kenë mundësi të admirojnë pikturat e pothuajse çdo shpelle. Shumë prej tyre datojnë në mijëvjeçarin e 6-të p.e.s dhe zbulojnë historinë e shkretëtirës më të madhe e më të nxehtë në botë.

Në vitin 2016, Ennedi u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Menjëherë pas kësaj, u klasifikua si një Rezervat Natyror dhe Kulturor, si dhe u mor nën mbrojtjen e organizatës jofitimprurëse të ruajtjes së Parqeve Afrikane. Në vitin 2001, një kafkë e fosilizuar shtatë milionë vjeçare, me nofkën Toumaï, u zbulua në perëndim të Ennedit.

Arti shkëmbor i Enned-it zbulon ndryshimet që kanë ndodhur gjatë mijëvjeçarëve në këtë tokë. Shumë njerëz kanë jetuar dikur aty, ndërsa tani shumë pak ia dalin të përshtaten. Megjithatë, Enned-i mbetet i njohur si “Edeni i Saharasë”, sepse bie më shumë shi se në pjesën tjetër të shkretëtirës. Gdhendjet në masivin e Enned-it janë të ndryshme si kafshë, bimë, por edhe njerëz. Ajo që bie në sy është se ato janë pikturuar në lartësi të konsiderueshme. Vendasit për këtë mendojnë se nuk janë vizatime të bëra nga njerëzit, por nga xhindet, shpirtrat e këqij.