Aktualitet Politikë

Grupi Alibeaj çon në KQZ kërkesën për t’u regjistruar në vendoret e 14 majit!

Beteja në KQZ për Partinë Demokratike, pas Berishës është Alibeaj që dërgon në Komision kërkesën për regjistrimin e PD-së në zgjedhjet vendore të 14 majit. Përfaqësuesi ligjor, Indrit Sefa u shpreh i befasuar nga interesimi i lartë.

Do ta vlerësojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nuk e kuptoj gjithë këtë interes kaq të madh. Bëmë një veprim thjesht procedural. Eshtë një praktikë e ndjekur nga të gjitha partitë politike.

6 marsi shënon dhe afatin e fundit për regjistrimin e partive politike në KQZ për në zgjedhjet e 14 majit. Për Selinë Blu kjo ishte “pikë e nxehtë diskutimi mes demokratëve” e që kulmoi me zhvillimet e 3 marsit kur lidhur me vulën e PD-së ra vendimi i Gjykatës Tiranë që njohu Kuvendin e Berishës të 11 dhjetorit 2021. Apeli ktheu çështjen për rigjykim.

Të premten e kaluar, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm vendoi të kthejë për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë çështjen që lidhet me konfliktin e brendshëm në Partinë Demokratike për drejtimin e kësaj force politike. Me këtë vendim, juridikisht, strukturat drejtuese të PD-së janë ato të zgjedhura në kohën kur forcën politike e drejtonte Basha, i cili në mars të vitit të kaluar dha dorëheqjen.

Kryetar i komanduar u caktua nënkryetari Enkelejd Alibeaj, i cili tani konsiderohet si përfaqësues i ligjshëm i PD e iu dha e drejta që brenda ditës së sotme të regjistronte këtë forcë politike në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, për garën e pushtetit vendor më 14 maj.

Pavarësisht se Apeli Tiranë bëri nul vendimin e gjyqtarit Zhukri për të njohur zyrtarisht Berishën si kryetar, mbrëmë në KQZ u depozitua dokumentacioni për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor në lokalet e 14 majit. Në shkresën e firmosur nga Berisha,  bie në sy se emri Partia Demokratike përmban dy shenja nistore PD/PDSH. Ky formulim tenton të mbyllë çdo hapësirë regjistrimi për subjekte të tjera politike të përafërta me këto shenja.