Rajoni

Inflacioni rekord, grevë e përgjithshme në Greqi!

Greqia është ndalur sot nga një grevë e përgjithshme 24-orëshe, e thirrur nga sindikatat private dhe publike, për të protestuar kundër inflacionit rekord e rritjes së ndjeshme të çmimeve në vendin fqinj. Shërbimet publike, transporti detar, si dhe ai hekurudhor e urban nuk po funksionojnë në këtë ditë të parë të javës.

Edhe dje gjatë manifestimeve tradicionale të 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës, rreth 9 mijë demonstrues mbushën rrugët e kryeqytetit Athinë, duke kërkuar më shumë masa nga qeveria greke e kryeministrit Micotaqis, për të mbrojtur fuqinë blerëse, përballë ndikimit të inflacionit tek familjet.

Në muajin prill, inflacioni në Greqi arriti në 9.4%, sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Statistikave, Eurostat dhe referuar vlerësimeve, kjo është një shifër shumë më e lartë se mesatarja europiane prej 7.5%. Po sipas të njëjtit burim, sa i përket muajit mars, vetëm çmimet e energjisë elektrike nuk ishin shumë larg dyfishimit, me plus 79.3% në bazë vjetore, në sfondin e rritjes së çmimeve të energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt.

Qeveria greke ka dhënë ndihma sociale prej katër miliard eurosh për të përballuar inflacionin e shfrenuar. Një ditë më parë hyri në fuqi edhe rritja e pagës minimale, me 50 euro në muaj e tani është 713 euro bruto. Por, sindikatat dhe opozita e majtë i konsiderojnë këto masa të pamjaftueshme e vazhdojnë të kërkojnë më shumë rritje, që të paktën paga minimale të rritet në 825 euro bruto në muaj.

E njëjta situatë edhe në Turqi ku dhjetëra protestues u arrestuan nga policia në Stamboll, gjatë protestës së djeshme kundër rritjes së inflacionit. Në sheshin Taksim pati përleshje mes tyre e forcave të rendit, ndërsa nuk munguan prangosjet. Kreu i Konfederatës të Punëtorëve në Turqi, Ergun Atalay, kërkoi që paga minimale të ndryshojë, edhe për shkak të rritjes së çmimeve. Si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë e rritjes globale të çmimeve, në prill, niveli i inflacionit vjetor në Turqi ishte 68% nga 61% krahasuar me marsin.