Rajoni

Ish-ambasadorja e Serbisë: Këshilli i Sigurimit zor se del kundër Kosovës!

Serbia e thirri seancën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, por vështirë të arrijë diçka përmes saj: Branka Latinovic, ish-ambasadore dhe përfaqësuese e Serbisë në OSBE, pohoi se nuk pret që fuqitë e mëdha të arrijnë një marrëveshje për ngjarjet e fundit në Kosovë.

“E konsideroj shumë të vështirë. Nuk kam dyshim se përfaqësuesit e vendeve që e kanë njohur Kosovën do të kenë qëndrim kritik ndaj këtyre aktiviteteve të fundit, ndaj masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e përkatësisht miratimit të dekretit të Bankës Qendrore. Kjo shihet nga pohimet që tashmë janë bërë nga ambasadorët e tyre në Prishtinë, qoftë përmes deklaratave të zyrtarëve të ministrive të punëve të jashtme apo në mënyra të tjera”, shprehet ajo.

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç pretendoi më herët se është caktuar të mbahet mbrëmjen e se enjtes seanca e Këshillit të Sigurimit të OKb-së që Serbia kërkoi për Kosovën. Beogradi i dorëzoi misionit të Guajanës kërkesën për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme me pretendimin “se gjendja aktuale në territorin e Kosovës është në “kontrast të thellë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Kryediplomati serb njoftoi se Guajana, si kryesuese e radhës e Këshillit ka vendosur që seanca të jetë e hapur. Për televizionin serb, RTS, ai u shpreh se pas bisedës së zhvilluar me ministrin e jashtëm të këtij vendi, u vendos të caktohej një seancë pa votim. Në kërkesën e dorëzuar, Serbia e përshkruan vendimin e Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa, si vendim të jashtëligjshëm, duke vlerësuar se ai është “vazhdimësi e masave të dhunës brutale fizike dhe institucionale ndaj serbëve”, dhe sipas Beogradit, qëllimi është “spastrimi etnik dhe zhdukja e popullatës serbe”.