Bota

Izraeli do të lejojë dy kamionë me karburante në ditë në Gaza!

Ushtria izraelite njoftoi se ka vrarë të paktën shtatë militantë në dy përleshje të ndara në Bregun Perëndimor, pasi Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Bashkimi Europian, pranoi se disa luftëtarë të tij u vranë në mes të dhunës në rritje.

Prej fillimit të sulmeve të grupit ekstremist palestinez Hamas, më 7 tetor, në pjesën jugore të Izraelit, ka një rritje dramatike të numrit të përleshjeve në Bregun Perëndimor, ku ushtria izraelite po shton inkursionet duke synuar grupet militante. Forcat izraelite kryen një operacion gjatë natës mes së enjtes dhe të premtes, në një kamp refugjatësh në Xhenin, një qytet në veri të Bregut Perëndimor, i konsideruar prej kohësh qendër e aktivitetit luftarak.

Kabineti i luftës i Izraelit vendosi të lejojë dy kamionë në ditë me karburante në Gaza. Vendimi u mor me qëllim që të ndihmohet në plotësimin e nevojave të Kombeve të Bashkuara. Një zyrtar izraelit që nuk pranoi të identifikohej, tha se vendimi erdhi pas një kërkese nga Uashingtoni. Ai shtoi se në këtë mënyrë i jepet hapësirë shtesë Izraelit, për të manovruar në arenën ndërkombëtare, në mënyrë që të përfundojë fushatën për të shkatërruar grupin palestinez Hamas.

Situata në Gazë është rënduar prej nisjes së bombardimeve izraelite, mbi një muaj më parë. Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit, pasi grupi ekstremist nxiti konfliktin përmes sulmeve të filluara po atë ditë në tokën izraelite, duke vrarë mbi 1 mijë e 400 njerëz dhe duke marrë më shumë se 240 pengje. Ndërkohë, ushtria izraelite vijon ofensivën tokësore në Gaza ku sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 11 mijë njerëz janë vrarë në territorin me 2.3 milion banorë, që mbahet i rrethuar.

Presidenti turk, Erdogan sot po viziton Gjermaninë, ndërsa Ankaraja e Berlini zyrtar kanë qëndrime të ndryshme lidhur me luftën Izrael-Hamas. Erdogan do të takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe me presidentin Frank-Walter Steinmeier. Turqia konsiderohet një “partner i vështirë”, por thelbësor në Gjermani, pasi në këtë shtet jetojnë më shumë se 3 milion persona me origjinë turke. Turqia tërhoqi ambasadorin e saj nga Izraeli, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve janë acaruar ndjeshëm javët e fundit.