Rajoni

Jakov Milatoviç bëri betimin si presidenti i ri i Malit të Zi: Do të jem presidenti i të gjithë qytetarëve!

Duke lexuar formulën e betimit para deputetëve, ministrave, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe liderëve të vendeve të rajonit, Jakov Milatoviç zyrtarisht mori detyrën e presidentit të Malit të Zi.

Betohem se do të kryej detyrën e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe paanshmëri, sipas Kushtetutës e ligjit.

Me betimin në sallën plenare të Parlamentit të Malit të Zi, shënoi fillimin e mandatit të tij pesëvjeçar presidencial.

Do të jem një president i vërtetë, i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, politike apo fetare. Momenti aktual ka karakter historik.

Presidenti i ri malazez u shpreh se ndryshimi i strukturës politike dhe konsolidimi i demokracisë ngjallin shpresë, se në një mjedis më të lirë do të zgjidhen çështjet e hapura, të rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi.

Rreth 200 personalitete iu bashkuan ceremonisë së inaugurimit, mes tyre zyrtarë nga vendet fqinje, ambasadorë dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Sa iu përket figurave të Malit të Zi, nuk mungoi presidenti në ikje, Milo Gjukanoviç, të cilin 37-vjeçari Jakov Milatoviç e mposhti bindshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në fillim të muajit prill.

Milatoviç ka shtruar një drekë për të ftuarit e në orët e vona të pasdites, në Vilën “Gorica”, ai dhe bashkëshortja presin rreth 700 të ftuar, mes tyre kreun e shtetit shqiptar, Bajram Begaj.  Ndonëse deri mëngjesin e sotëm nuk kishte asnjë konfirmim, presidenti serb Aleksander Vuçiç gjithashtu është i pranishëm në Mal të Zi, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të homologut.

Në profilin e tij në Instagram, Vuçiç konfirmoi vajtjen e tij në Mal të Zi, duke postuar foto me liderët e Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiç dhe të Partisë Popullore Demokratike, Milan Knezheviç, nga një takim në Zeta në afërsi të Podgoricës.