Auto & Moto Tech

Ju prezantojmë me motoçikletën fluturuese e cila do të dalë në shitje së shpejti!

Një motoçikletë fluturuese që mund të udhëtojë me shpejtësi prej 100 kilometër për orë deri në 40 minuta do të dalë në shitje vitin e ardhshëm për vlerën e 682 mijë dollarëve. Sipas medieve të huaja, ‘Xturismo’ – ideja e startup-it me bazë në Tokio, A.L.I. Technologies u zbulua gjatë një fluturimi testues në një pistë të zbrazët në rrëzë të malit Fuji.

Firma po planifikon të prodhojë një seri të kufizuar prej 200 motoçikletash në gjysmën e parë të vitit 2022. Krahas përdorimit si pjesë e aktiviteteve të kohës së lirë, motoçikleta ka potencial për të ndihmuar në shpëtimin e njerëzve nga aksidentet në det.

Ndërkaq, rikujtojmë se një kompani suedeze ka zhvilluar një mjet fluturues që mund ta ngasë kushdo. I quajtur Jetson ONE, pritet të dalë në treg në vitin 2022 dhe do të kushtojë 92 mijë dollarë. Mjeti do të jetë në gjendje të fluturojë me një shpejtësi maksimale prej 102 km/orë. Automjeti fluturues mund të funksionojë për rreth 15 minuta me një karikim të vetëm.

Ju kujtojmë gjithashtu se gjiganti gjerman Volkswagen çdo ditë e më shumë po shfaq interes për veturat elektrike. Shumë kompani botërore por edhe gjigantë të IT-së, konsiderojnë se veturat autonome elektrike në dekadat e ardhshme do të jenë të domosdoshme. Këtyre kompanive tani u është bashkuar Volkswagen, ku në kuadër të Volkswagen Group Forum është prezantuar koncepti i robo-taksisë autonome të quajtur OnePod.