Live From Tirana Music

Kamela Islamaj zbërthen hitet e karrierës

Në prag të ndërrimit të viteve për të na folur e zbërthyer hitet e karrierës së saj muzikore ishte sot “Live From Tirana” një ndër artistet që ne e duam shumë. Bëhet fjalë për Kamela Islamaj e cila në çdo këngë apo çdo projekt muzikor shfaq stilin e saj të veçantë ku secilën melodi e punon me dashuri duke i dhënë formën e ngjyrat e saj. Të mërkurën artistike sot ja dedikuam Kamelës, e cila na transmetoi vetëm energji pozitive.

“Lojë Dashurie” (2007)

“Unë jam shumë e lumtur që kënga ime e parë dhe prezantimi im i parë në skenë me këngën time ndodhi me këtë projekt, pak ‘funky’ dhe jo baladë që më pas këto të fundit u bënë pjesë e karrierës time. Të këndoje për dashurinë asokohe ishte e çuditshme për mua.”

“Ajo që ndodhi ishte dje” (2008)

“Më bën të lumtur fakti që thuajse të gjitha këngët e mia në “Top Fest” kanë shkuar në finale. Për mua ishte e hera e parë që bashkëpunoja me Bojken Lakon dhe ishte diçka e veçantë të ishe në studio me të. Flet për dashurinë, një lidhje midis dy të rinjve të cilët janë nga 2 vende të ndryshme.”

“Gjëra të Thjeshta” (2009)

“Kjo këngë ishte e para që më çoi në festivalin e RTSH-së. Mori çmimin e tretë në festivalin e atij viti.”

“Jetoj pa Ty” (2010)

“Atë kohë e kërkoja dashurinë kudo dhe me shumë mund dhe nuk e gjeja, kështu lindën disa këngë në atë periudhë. Trumanin nuk e kisha njohur ende.”

“Lëviz me Mua” ft. Orgesa Zaimi (2010)

“Në këtë vit mora pjesë në “Top Fest” me 2 këngë, si fillim me “Jetoj pa Ty” dhe njëkohësisht ishim duke punuar me Orgesën për “Lëviz me Mua” që nuk e dinim që do të bëhej edhe ajo pjesë e këtij spektakli muzikor. Unë mendoj që na ka penalizuar sepse nuk mund të dilja në finale me 2 këngë por ama kjo i dha jetë “Lëviz me Mua” që e perfomonim kudo dhe kurdo. Gjithashtu jemi shumë të lumtura sepse kjo këngë u bë himni i “Down Syndrome Albania.”

“Jetova për të Dy” (2010)

“Është një kompozim i Alban Males dhe tekst i Olti Currit. Mora pjesë në festival me këtë këngë.”

“Mbi yje” (2011)

“Kjo është një ndër këngët e mia absolutisht më të preferuara. Jemi sërish tek pop-rock, nuk ka marrë asnjë çmim por ne jemi kënaqur shumë duke krijuar këtë këngën. Në “Fest 50″ gjëja që u komentua më shumë ishte fakti që unë dola zbathur.”

“Pa Limit” (2013)

“U riktheva sërish në “Top Fest” pas disa vitesh, nuk mund të rrija pa “Top Fest”-in. Ky është një kompozim i Gent Bushpepës dhe tekst i Olti Currit. Kemi marrë çmimin “Best Pop&Rock” në “Top Fest 10″. Nata finale ishte shumë e bukur sepse qëlloi në ditën e lindjes time.”

“Më ngjyros” (2019)

“Kjo është kënga e parë fare që është kompozuar nga unë. Ishte kënga e parë e lançuar që mban autorësinë time megjithëse unë nuk jam shumë e mirë në të shkruar. Tekstet e mia janë pak ironike.”

“Kujtimet S’kanë Formë” (2020)

“Këtë këngë unë e dua fort, është kaq personale. Unë melodinë e kam bërë në një nga ato ditët kur nuk ndihesha shumë e lumtur.”