Bota

Kisha Ortodokse e Ukrainës shkëputet nga Patriarkana e Moskës!

Kisha Ortodokse e Ukrainës u shkëput nga Patriarkana e Moskës dhe shpalli pavarësinë e saj të plotë, ndërsa Rusia vazhdon luftën ndaj vendit fqinj. Ajo që njihet si Kisha Ortodokse Ukrainase e Patriarkanës së Moskës shpalli autonominë dhe pavarësinë e plotë nga Moska, duke deklaruar se nuk bie dakord me qëndrimin e mbajtur nga patriarku Kirill i Moskës për konfliktin që vijon prej më shumë se tre muajsh e që ka shkaktuar mijëra të vrarë deri tani.

Kisha ukrainase thotë se “e dënon luftën” dhe i bën thirrje Ukrainës e Rusisë “të vazhdojnë procesin e negociatave e të ndalin gjakderdhjen”.
Kleriku i lartë Kirill, i cili kryeson Kishën Ortodokse Ruse, përkrahu fort presidentin Vladimir Putin, në vendimin e tij të datës 24 shkurt, për pushtimin e Ukrainës, në emër të “çmilitarizimit e denazistifikimit të vendit”.

Presioni është rritur kohët e fundit brenda kishës për t’u shkëputur nga Moska, ndërsa konflikti vazhdon të jetë i ndezur. Madje, qindra priftërinj bënë thirrje për një gjykatë kishe kundër patriarkut. Kisha e Moskës tradicionalisht e konsideron Ukrainën si brenda sferës së saj të ndikimit.

Ndërkohë, lufta në Ukrainë vijon prej 94 ditësh dhe Moska vendosi të ndërpresë çdo lidhje të rajonit Kherson që ka nën kontroll, me të tjera zona të territorit ukrainas. Sipas portalit të pavarur të lajmeve “Meduza”, “Kremlini po vlerëson mundësinë e një sulmi të dytë kundër Kievit”, edhe pse nuk arriti të depërtojë në kryeqytetin e Ukrainës, në fillimet e konfliktit duke u detyruar të përqendrojë ofensivën në lindje.

Në lidhje me krizën ushqimore, presidenti Putin i kërkoi Ukrainës që me shumë shpejtësi të pastrojë portet, për të lejuar kalimin e anijeve. Ndërkohë, presidenti ukrainas, Zelensky garantoi se “Donbasi do të jetë sërish ukrainas”.

Inteligjenca britanike, “Moska ka nevojë akute për një fitore në Donbas, si justifikim politik për luftën”. Situatën atje, presidenti Zelensky e përshkruan si “shumë të vështirë”.