Sport

Komisioni i Disiplinës merr vendimet, ndëshkohen Tirana e Partizani!

Tifozët kanë shkatërruar jo pak por 250 stola në stadiumin Air Albania gjatë derbit mes Tiranës e Partizanit. Si rezultat Komisioni i Disiplinës vendosi t’i gjobisë të dy skuadrat me 200 mijë lekë secilën.

Përveç gjobës skuadrat do të paguajnë të gjitha dëmet e shkaktuara në Air Albania, ndërsa Partizani përveç gjobës dënohet edhe me zhvillimin e 4 ndeshjeve pa tifozë. Trajneri i Partizanit Ilir Daja pezullohet për dy ndeshje për shkak të ofendimit të arbitrit.

Komisioni i Disiplinës:

“6. KF Tirana, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, sjelljes së gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive dhe pajisjeve sportive, në bazë të neneve 64/1, 64/5, 65/1, 65/3/a, 65/3/c dhe 65/3/f të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë.KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

7. FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive, pajisjeve sportive dhe duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës, në bazë të neneve 65/2, 65/3/a, 65/3/c, 65/3/f dhe 65/4/b të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë. Në zbatim të nenit 32/1/2/3 të KDS, vendoset pezullimi i pjesshëm i zbatimit të dënimit pas shlyerjes së gjysmës së tij. Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 32/4 të KDS, do të jetë 6 (gjashtë) muaj.
FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

8. Zyrtari i FK Partizani, Ilir Daja, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, me gjeste dhe fjalë ofenduese, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti”, thuhet në njoftim.