Health & Beauty Lifestyle

“Kondicioneri jo më poshtë se 22 gradë”, Skënder Brataj tregon dëmin që i shkakton organizmit!

I ftuar në emisionin “Wake Up”, kreu i urgjencës kombëtare, Skënder Brataj ka treguar se si të menaxhojmë temperaturat e larta që shkaktohen nga i nxehti afrikan. Ai shprehet se kondicioneri është një opsion shumë i mirë për të menaxhuar të nxehtin, por këshillon që të mos lihet asnjëherë poshtë 22 gradëve, pasi mund të shkaktohen probleme shëndetësore.

Në kushtet e shtëpisë, si mund të shpëtojmë nga i nxehti?

Duhet të mbahet në temperaturë e kontrolluar, sigurisht që kondicioneri është një gjë shumë e mirë, por jo temperaturat ekstreme. Nuk duhet të zbresim temperaturën nën 22 gradë, jo 18, jo 16. Në të ftohtë ne kemi ngushtimin e enëve të gjakut me qëllim që mban presionin arterial mbi 90 që të funksionojë qelizën cerebrale. Kur presioni bie poshtë asaj shifre, ne themi gjendje lipotimie, ose gjendje të fikëti në mënyrë popullore.

Kur ti del nga një ambient me këtë temperaturë në 40 gradë bëhet zgjerimi i enëve të gjakut, që do të thotë rritja e kapacitetit të gjakut në periferi. Ulja e presionit, po nuk mbërriti gjaku në tru, sigurisht që të krijon këto probleme. Në mosha të ndryshme, koha e përshtatjes është e ndryshme, sidomos tek moshat e treta dhe tek fëmijët, këto mekanizma nuk janë aq të sinkronizuara sa tek i rrituri. Prandaj është e këshillueshme që veç faktit që temperatura nuk duhet të vihet në minimum, sepse nëse ti e ke jashtë 40 gradë dhe e çon kondicionerin 18 sigurisht që nuk përshtatet dot asnjë lloj organizmi.

E dyta është ventilimi, ajrosja e ambienteve në të cilat rrimë. Në qoftë se kemi shtëpinë të ekspozuar drejt diellit, duhet të kesh perdet e errëta me qëllim që në kohën e pikut të mos hyjnë shumë rrezet ultravioletë. Varet nga lagështia e ajrit, ka umidificator që e përshtatin atë ose ka dhe umidificator që e shoh shumë pak të përdorur në Shqipëri, nuk përdoret. Kur ti e vendos në shtëpi dhe shikon mbledhjen e 2-3 litrave ujë, thua si ka mundësi. Mirëpo ajo ndikon në procesin e shkëmbimit të gazrave në mushkëri. Prandaj kemi shumë probleme të mbytjes, të mungesës së frymëmarrjes, gjë që me të cilat mund t’i rregullosh dhe të kesh një ambient cilësor.