Rajoni

Kosova voton për qeverinë e re, fluks zgjedhësish në Mitrovicën e Veriut

Kosova voton sot për të zgjedhur 120 deputetët e rinj të Kuvendit dhe Qeverinë e re. Prej orës 7:00-19:00  do të jenë hapura 888 qendra votimi. Janë 1 milion e 794 mijë e 862 votues me të drejtë vote, prej tyre 49 mijë e 198 votues për herë të parë. Në garë në këto zgjedhje të parakohshme janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52.

Valdete Daka, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte personi i parë që votoi në Kosovë. Ndërkaq pas hedhjes së votës, Albin Kurti, kandidati për Kryeministër i Vetvendosjes që i është refuzuar kandidimi për deputet pasi ka dënim të formës së prerë në 3 vitet e fundit u shpreh se “Sot është ditë e bardhë, e ndritshme ashtu siç do jetë edhe e ardhmja. Qytetarët kanë nevojë për demokraci, institucionet kanë nevojë për legjitimitet sot kjo nevojë është e drejtë e cila me tej paraqet mundësinë dhe shans  që duhet shfrytëzuar dhe duhet përdorur. Kosova si shtet u pavarur i kthehet popullit si burim i sovranitetit. Me dashuri për vendin duhet të votojmë”. Theksojmë që këto zgjedhje në Kosovë, vijnë pas një kërkese të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi se Qeveria Hoti ishte antikushtetuese.

Gjithashtu të drejtën e saj kushtetuese për të votuar sot e ka shfrytëzuar edhe Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani. Në sinkron me kreun e Vetvendosjes, Osmani dha një mesazh të ngjashëm me Albin Kurtin ku theksin e vuri te e ardhmja e vendit. “Sot është një ditë e bardhë për Kosovën, është një ditë kur të gjithë qytetarët tanë do ta përcaktojnë të ardhmen e tyre, do ta përcaktojnë fatin e vendit dhe individual. Dua të falënderoj nga zemra të gjithë mërgatën tonë, që kanë bërë një sakrificë të madhe duke ardhur apo duke marrë pjesë në votime përmes postës” u shpreh Osmani.

Ndërkaq në mesin e thirrjeve për pjesëmarrje masive, në Mitrovicën e Veriut është vërejtur fluks votuesish, kryesisht nga komuniteti serb që presin në radhë për të votuar.