Bota

Kremlini ndryshon etiketimin, për herë të parë flet për luftë dhe jo më operacion special në Ukrainë!

Rusia tani është “në luftë” me Ukrainën dhe kjo për shkak të ndërhyrjes perëndimore në atë që më herët, Moska zyrtare e quante “operacion të posaçëm ushtarak”. Kështu u shpreh për agjencinë Argumenty i Fakty (AiF), zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ne jemi në luftë. Në të vërtetë, nisi si një operacion i posaçëm ushtarak, por sapo u krijua një klikë dhe Perëndimi kolektiv u bashkua në krahun e Ukrainës, për ne, kjo u shndërrua në një luftë. Unë jam i bindur për këtë. Të gjithë duhet ta kuptojnë këtë në mënyrë që të mbledhin forcat.

Që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, Kremlini ka shmangur që ta quajë konfliktin luftë dhe gjithnjë i është referuar si “operacion i posaçëm ushtarak”.

Kujtojmë edhe se po ashtu, Kremlini ka shtyrë përpara ligje të reja përmes Dumës Shtetërore, sipas të cilave, cilësimi i konfliktit si “luftë” nuk është i ligjshëm dhe shumë njerëz janë gjobitur e burgosur për “diskretitimin” e forcave ruse e gjithashtu përhapjen “e informacioneve të rreme”, vetëm e vetëm për shkak të përdorimit të kësaj fjale.

Gjatë kësaj deklarate, Dmitry Peskov shtoi edhe se Rusia duhet të “çlirojë” krejtësisht “rajonet e saj të reja”. Me këtë iu referua katër rajoneve në Ukrainë e që Moska i ka aneksuar në mënyrë të paligjshme gjatë luftës, me pretendimin për “të mbrojtur popullin në këto rajone, si dhe për të çliruar territorin e këtyre rajoneve”.

Moska vendosi të veprojë duke i aneksuar ilegalisht rajonet pas nisjes së pushtimit, edhe pse mbetet e paqartë se sa territor ka nën kontroll shteti rus. Ndërkaq, deklaratat e zëdhënësit Peskovit u bënë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, fitoi me lehtësi zgjedhjet presidenciale të fundjavës së kaluar, në votime që sipas vëzhguesve të pavarur, nuk ishin as të lira dhe as të drejta.

Këto ishin zgjedhjet e para të mëdha në Rusi që kur Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj, Ukrainës. Sipas rezultateve zyrtare, Vladimir Putin siguroi një mandat të ri gjashtëvjeçar presidencial, pasi siguroi 87.3% të votave. Nuk kishte dyshime se Putin do të triumfonte, madje me rezultat të thellë.