Aktualitet Rajoni

Kryediplomatët e BE-së në takim për Ballkanin Perëndimor!

Krahas agresionit rus në Ukrainë, edhe raportet e bllokut europian me Ballkanin Perëndimor, sot janë në fokus të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian. Më vonë gjatë ditës do të kenë një takim të përbashkët me shefat e diplomacive së gjashtë vendeve të rajonit. Diskutimet për Ballkanin Perëndimor në takimin e 27 ministrave, si edhe me të vendeve të rajonit, do të jenë mbi përballjen e përbashkët me sfidat e pasojat që ka krijuar agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës.

Në një dokument të përgatitur, thuhet se “agresioni i Rusisë ka krijuar ndryshime domethënëse gjeo-politike”.

Më shumë se kurrë ka pritshmëri që Ballkani Perëndimor t’i përkushtohet vlerave europiane. BE-ja duhet t’i rreshtojë partnerët rreth mbrojtjes së vlerave të përbashkëta e normave kyçe ndërkombëtare, si dhe në dënimin e agresionit rus në Ukrainë, si shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare dhe rrezik për paqen e sigurinë globale.

Sipas burimeve diplomatike, presioni kryesor do të jetë ndaj Serbisë, si vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

Në Bruksel, zyrtarë të BE-së vazhdojnë të bëjnë përpjekje për ta relativizuar këtë qëndrim serb duke theksuar më shumë faktin se Serbia ka votuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për dënimin e agresionit të Rusisë dhe votoi për përjashtimin e saj nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut. Por, shumë vende anëtare të BE-së pohojnë se kjo gjë, ndonëse është e mirëpritur, nuk mjafton! Beogradi duhet të mbështesë edhe sanksionet, e sidomos të mos lejojë që përmes Serbisë, ato të anashkalohen.

Në BE përshëndesin faktin që në tërësi, Kosova ka mbështetur qëndrimet e Perëndimit për luftën në Ukrainë, edhe pse formalisht nuk i kërkohet një gjë e tillë Prishtinës. Blloku europian pritet të ketë porosi të qarta për Ballkanin Perëndimor ndërsa kërkohet që liberalizimi i vizave për Kosovën, të ndodhë sa më shpejt.

Në takim do të diskutohet edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë, që marrëveshjet mes tyre të gjejnë zbatim e të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Dy ditë më parë, ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara në botë, G7-ës, u bënë thirrje Prishtinës e Beogradit, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog e të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve.