Aktualitet

Kryekomisioneri Celibashi kërkon nisjen me shpejtësi të Reformës Zgjedhore!

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se “është mirë që procesi i Reformës Zgjedhore të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur”. Celibashi dhe nënkomisionerja Lealba Pelinku zhvilluan një bashkëbisedim me gazetarët për të dhënë disa informacione lidhur me procesin e identifikimit elektronik në zgjedhjet e 6 marsit 2022. Në mënyrë të posaçme, mbi rezultatin e kryqëzimit të të dhënave daktiloskopike të përfituara nga procesi i identifikimit elektronik.

I pyetur nëse ka marrë përgjigje nga partitë politike pas thirrjes së tij për të nisur Reformën Zgjedhore, Celibashi u shpreh:

Nuk ka një reflektim nga partitë politike, veçanërisht atyre parlamentare në lidhje me angazhimin që ato vetë kanë marrë për të reformuar ligjin zgjedhor. Sa më shumë ditë kalojnë, aq më problematike do të bëhet situata dhe nga pikëpamja politike. Këtë mund ta themi me siguri, jemi të gjithë dëshmitarë. Kjo do të reflektohet edhe në cilësinë e produktit që do të ketë reforma. Njëkohësisht, vonesa do të ketë implikime jo pozitive për KQZ-në dhe institucionet që merren me administrimin e procesit zgjedhor.

Procesi është mirë të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur! Nëse do të vazhdojë të kalojë kjo situatë pa bërë gjë do të jemi në pozitën kur ndryshimet e minutës së fundit do të jenë objekt i konfliktit politik. Ndërkohë do të krijohen probleme në aspektin teknik të përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme.

I pyetur nëse e ka përvojën KQZ-ja që projektin e votimit dhe numërimit elektronik ta zbatojë në të gjithë Shqipërinë, Celibashi tha se kanë krijuar një lloj përvoje, por se nuk mund të thotë me siguri se kjo eksperiencë është e tillë që garanton 100% implementimin me sukses të plotë të votimit elektronik në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kryekomisioneri shtoi se “ndoshta hapi dytë mund të mos ishte shtrirja e votimit elektronik në të gjithë territorin e RSH, por të ishte një shtrirje pjesore ndoshta në disa bashki të alternuara, të mëdha dhe të vogla, por jo në të gjithë territorin e RSH”.

Shoh që koha është duke ikur, edhe nëse ne sot do të vendosim për këtë ka një sërë procedurash, të cilat do të duhet t’i paraprijnë implementimit të këtij sistemi dhe koha nuk na e lejon.