Aktualitet Rajoni

Kryeministri Rama kundër Gjukanoviçit e Osmanit për “Ballkanin e Hapur”!

Kryeministri Rama i del kundër presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani pas deklaratës së përbashkët kundër “Ballkanit të Hapur”. Në një mesazh në Twitter, Rama shkruan:

Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nismë nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot!

Zyrtarisht, nisma për bashkëpunim rajonal përkrahet nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, por refuzohet nga Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi. Gjukanoviç e Osmani thanë se “nuk e shohin “Ballkanin e Hapur” si një iniciativë të goditur rajonale” dhe se “do të vazhdojnë të mbështesin të tjera nisma rajonale të krijuara më parë, si Procesi i Berlinit.

Në të parën vizitë zyrtare në Kosovë që pas shpalljes së pavarësisë më 2008-ën e të njohur nga Mali i Zi në të njëjtin vit, Gjukanoviç u takua dhe foli në një konferencë shtypi me homologen Osmani.

Në vend të krijimit të nismave të reja, të shfrytëzojmë potencialin e atyre aktuale si procesi i Berlinit.

Por, kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç është shprehur në favor të nismës, duke theksuar përmirësimin e komunikimit mes vendeve në rajon. Në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh për bashkëpunim rajonal. Në Prishtinë, partia në pushtet dhe opozita, e kundërshtojnë nismën si “pa vizion” dhe “të rrezikshme”.

Të njëjtin mendim ndan opozita në vendin tonë. Ish-kryeministri Berisha e akuzon kryeministrin Rama për afërsi me Serbinë, ndërsa “Ballkanin e Hapur” e quan “projekt që nuk synon gjë tjetër veç vendosjes së hegjemonisë serbe në rajon”.

Në kuadër të kësaj nisme është arritur marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit e lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një memorandum mirëkuptimi e bashkëpunimi për akses të lirë në tregun e punës. Tirana, Beogradi e Shkupi vendosën që nga 1 janari 2023 të heqin kontrollet doganore.