Aktualitet Rajoni

Kryeministri Rama në Greqi, ftesë biznesit të shtojë investimet!

Vizita në Greqi e kryeministrit Rama, takime me drejtuesit më të lartë të vendit fqinj dhe një ftesë për biznesin që të shtojë investimet. Fillimisht, u prit nga kryeparlamentari, Kostas Tasulas, i cili u shpreh:

Vlerësoj miqësinë ndërmjet dy vendeve e urat lidhëse mes dy popujve tanë, siç janë minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi. Mbështes vendin tuaj në rrugëtimin drejt BE-së, nga ku vendet anëtare gëzojnë përfitime.

Kryeministri Rama e falënderoi për pritjen dhe vlerësoi rolin e Greqisë në rrugën europiane të Shqipërisë.

Kënaqësi e veçantë që sot jemi në Athinë. Marrëdhëniet tona janë shumë të mira e në përmirësim të vazhdueshëm. Eshtë shumë e madhe dëshira e dyanshme për t’i forcuar këto marrëdhënie çdo ditë. Pa dyshim që baza e këtyre marrëdhënieve janë dy popujt tanë. Urat e forta mes nesh, janë qoftë qytetarët grekë që jetojnë në Shqipëri, ashtu edhe qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi.

Ndërkaq, presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou i shprehu besim të plotë në zgjidhjen e disa çështjeve mes Greqisë e Shqipërisë.

Të dy vendet tona bashkëpunojnë më së miri sikurse edhe në organizmat ndërkombëtare. Vendi im është një mbështetës i flaktë i rrugëtimit tuaj europian dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Do të vijojmë të bashkëpunojmë e t’ju ndihmojmë drejt kësaj rruge. Përcaktimi i zonave detare e çështjeve që kanë mbetur pezull mes dy vendeve besoj që do të ndihmojnë në këtë drejtim.

Shefi i qeverisë deklaroi:

Jam shumë optimist se pikërisht në këtë klimë do të zgjidhim më së miri të tëra çështjet e lëna pezull mes dy vendeve. Edhe dakordësia për t’iu drejtuar një pale të tretë për zgjidhjen e shelfit detar, tregon se jemi në rrugën e duhur për t’i dhënë zgjidhje problemeve.

Më pas, Rama mori pjesë në Forumin Ekonomik, Greqi-Shqipëri.

Kur shikojmë shifrat e investimeve greke, nuk janë aty ku duhet. Kanë pësuar rënie. Duhet të gjejmë rrugë për të ndryshuar këtë, por në fund të ditës kjo është çështje në dorë të biznesit. Eshtë koha të hedhim të tjerë hapa në marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë e Greqisë, pasi politikisht jemi në një zonë komforti, pasi çështjet e sjella ndër vite po adresohen me dedikim e vendosmëri prej të dyja palëve.