Aktualitet

Kryeministri spanjoll Sanchez: BE-ja nuk konceptohet pa Ballkanin Perëndimor!

Sot në Tiranë, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez deklaroi se “nuk mund të konceptohet Bashkimi Europian pa Ballkanin Perëndimor”. Në konferencën e përbashkët për mediat me homologun Rama, pas takimit mes tyre, Sanchez vuri në dukje se “lufta në Ukrainë, kurrë nuk do t’i ndryshojë vlerat europiane që na bashkojnë”.

Bota ishte ndryshe, 24 shkurti na ndryshoi hapat. Pushtimi rus në Ukrainë prek integritetin territorial e vë në dyshim jo vetëm të Ukrainës, por të gjithë rendin ndërkombëtar. Kjo luftë na ka dhënë shumë probleme e shqetësime. Kjo luftë në Europë, kurrë nuk do t’i ndryshojë vlerat që na bashkojnë dhe unë besoj se kjo luftë vetëm ka treguar fortësinë e BE-së, rrugë të cilën duhet ta ndjekim për t’i bërë ballë këtyre pasojave.

Në këtë udhëtim në Shqipëri, unë dua të nënvizoj se duhet të japim një shembull të qartë e të plotë për rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor. Nuk jemi shumë afër Ballkanit, por objektivat na bashkojnë dhe unë e përkrah dëshirën e vullnetin europeist të vendeve të rajonit.

Nuk mund të konceptohet BE-ja pa Ballkanin Perëndimor, ndaj unë mendoj se është një ide pozitive që përveç procesit të aderimit dhe për marrëveshjet që bëjmë me çdo vend. Eshtë mirë për të krijuar këtë komunitet politik europian. Pse? Sepse do të kemi mundësi të flasim për shumë tema, për të vendosur këtë marrëdhënie në një nivel më të lartë politik midis shteteve dhe të shefave të qeverive, në formate më fleksibël.

Ne nga qeveria e Spanjës shohim me shumë interes këtë dinamikë pozitive që mund të gjenerohet mes vendeve që bëjnë pjesë në BE dhe atyre që duan të futen në Union. Pra, me formate shumë më fleksibël, që ne të kemi mundësi të flasim jo për çështje specifike të rajonit të Ballkanit, por edhe për çështje politike të përgjithshme. Për shembull, pandemia koronavirus para dy vitesh apo tani kriza energjetike, si rrjedhojë e luftës në Ukrainë.

Më herët në selinë e Kryeministrisë u firmos marrëveshje Shqipëri-Spanjë për krijimin e një grupi të përbashkët hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Kjo duke përdorur instrumentet e inteligjencës policore e të hetimit, që të dy vendet vlerësojnë të përshtatshme.