Sport

Kukësi bën detyrën ndaj Egnatias, rikthehet fuqishëm Dinamo!

Egnatia e nis me humbje në stadiumin e ri të qytetit të Rrogozhinës. Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani, u dorëzua 1-3 ndaj Kukësit, duke mos përmbushur pritshmëritë e tifozëve vendës, të cilët kanë pritur plot 16 vite për ta parë sërish në elitë.

Pas një nisjeje të qetë të lojës ekuilibrat në rezultat u prishën në minutën e 22-të, kur Daci i verilindorëve shfrytëzoi një pasiguri të mbrojtjes dhe portierit duke dërguar topin në rrjetë.

Të njëjtit futbollist iu dha mundësia për të shënuar golin e dytë në minutën e 37-të, por shumë pranë portës goditi mbi tra.

Përvoja e Kukësi u reflektua me realizimin e golit të dytë nga Peposhi pak para përfundimit të pjesës së parë, me një aksion model me pasime të shumta dhe të sakta.

Edhe gjatë pjesës së dytë Kukësi e diktoi lojën dhe bëri futboll cilësor, madje goditi shtyllën me Taipin. Mirëpo golin e radhës e shënuan vendësit me autor Bruno Telushin, që goditi fort dhe saktë nga distanca, duke lënë në tension deri në fund Kukësin . Gjithsesi në fund Kukësi shënoi edhe një gol në minutën e katërt shtesë me Mirko Milunovic, për ta nisur kampionatin me këmbën e mbarë. Nga ana tjetër Egnatia duhet të rregullojë shumë gjera në lojë, sidomos në fazën mbrojtëse.

Ndërkaq Dinamo debuton me fitore në Abissnet Superiore, nëntë vite pas herës së fundit që kishte luajtur në elitë. 18-herë kampionët e Shqipërisë u shfaqën në lartësinë e emrit që përfaqësojnë përballë Kastriotit në Kamëz, duke fituar 0-2. Përtej shifrave të këtij suksesi, skuadra e Bledi Shkëmbit dëfreu me lojën e saj, duke e dominuar në çdo aspekt kundërshtarin.

Bluve u mjaftuan me pak se 40 sekonda lojë për të zhbllokuar rezultatin. Në vijim të një aksioni të gjatë, Gavazaj harkoi saktë në zonë për Chinedu, që me kokë nuk e kishte të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë. E kuptueshme festa e shfrenuar e kryeqytetasve, që ndoshta nuk e kishin menduar realizimin e një goli kaq të shpejtë.

Kastrioti iu afrua barazimit në të 12-tën me Grgic, gjuajtja e të cilit me kokë shkoi mbi tra.

Momente tensioni pak çaste më vonë, pas një përplasjeje mes Imamit dhe Ajazit, futbollisti dinamovit Imami ndëshkohet me karton të verdhë.

Në të 19-tën erdhi goli i dytë i Dinamos, pas një kombinimi mes Ibraimit dhe Chinedu. Edhe në këtë rast i jashtëzakonshëm ish-sulmuesit e Hajdukut, që e kalon topin me parabolë mbi portierin Sali.

Në këtë rast u desh konfirmimi nga sistemi VAR për të konfirmuar golin, pasi anësori ngriti flamurin për pozicion jashtë loje.

Agim Ibraimi provoi me një goditje nga distanca në të 32-tën, që shkoi ngjitur në shtyllën, ndërsa pak çaste më vonë Mihana shpërdori një mundësi për golin e 0-3, pas asistit të marrë nga numri 10.

Dominimi i Dinamos vijoi edhe në pjesën e dytë, madje në minutën e 60-të Chinedu humbi një gol të sigurt thuajse mbi vijën fatale, i shërbyer nga Isaevski.

Përpjekjet e Kastriotit, përtej dëshirës së krutanëve për të kthyer rrjedhën e ndeshjes, nuk kishin rrezikshmëri (76’) të lartë. Për t’u veçuar rasti i Grecës (78’), që bëri thuajse gjithçka në mënyrë perfekte, perveçse finalizimin.

I pafat i njëjti futbollist i Kastriotit ën minutën e 84-t, teksa goditja e tij nga jashtë zonës u përplas në shtyllë, më pas në trupin e Harizajt e përfundoi jashtë. Dinamo lëshoi shumë terren në minutat e fundit, por as e djathta e Çelës (87’) nuk shkoi në portë.

Mbyllet me fitoren e pastër të Dinamos kjo përballje, që e konfirmon punën e mirë të kryer në merkato dhe gjatë fazës përgatitore te “nëndetësja blu”.