Aktualitet Politikë

Kuvendi i thirrur nga Berisha shkarkon Alibeajn si kryetar grupi, më 22 maj zgjedhjet për kreun e PD-së!

Më 22 maj zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike. Kjo u njoftua sot nga Belind Këlliçi, drejtues i punimeve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të thirrur nga ish-kryeministri Berisha dhe që po vijojnë prej mëngjesit, në sallën e Pallatit të Kongreseve. Në një tjetër vendim, Enkelejd Alibeaj u shkarkua si kryetar i grupit të PD-së dhe ndërsa shpalli vendin vakant, Këlliçi deklaroi:

Në mbështetje të statutit të Partisë Demokratike, për organizimin dhe funksionimin e grupit parlamentar të PD-së, me propozim të Rithemelimit, Kuvendi vendosi të konstatojë vakancën e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së. Ngarkohet Këshilli Kombëtar për zgjedhjen.

Ish-kryeministri Berisha e nisi fjalimin në Kuvendin Kombëtar të PD-së, me falënderime dhe mirënjohje.

Demokratë dhe demokrate do filloj fjalën time me një mirënjohje ndaj jush. Se qëndruat ju në ideale të larta njerëzore dhe jemi sot këtu më të fortë se kurrë. Rrofshi ju, Zoti ju bekoftë! Të dashur delegatë dhe delegate të Rithemelimit, të PD-së së rithemeluar, kontribuoni në punimet e këtij Kuvendi përcaktues jo vetëm për fatin e PD, por dhe të pluralizimit dhe lirisë së shqiptarëve!

Rruga e rithemelimit të PD-së që nisi me foltoret si fole e njerëzve të lirisë ishte një rrugë që na u imponua. Kjo rrugë jetike dhe shpëtimtare për ne në demokracinë e vendit, u imponua sepse ne në 8 vite po kalonim nga disfata në disfatë, nga zhgënjimi në zhgënjim, nga dështimi në dështim. Të gjitha këto për shkak të një udhëheqjeje, të një drejtuesi të papërgjegjshëm, Lulzim Basha i cili e konsideroi këtë parti si sipërmarrjen e tij private. Parimet dhe vlerat konservatore i zëvendësoi me pazaret dhe bizneset me qeverinë. Së fundi përfundoi i ngërthyer nga të gjitha anët dhe u vërsul me tërbim, me vendime, praktika, qëndrime fund e krye antidemokratike. Shkelmoi sovranitetin e PD-së, forumet, statutin, anëtarësinë e saj.

Ne pas zgjedhjeve të 25 prillit, të cilat ishin zgjedhjet më të dhunuara në historinë e Shqipërisë, ky zotëri në vend se të merrte avokatinë e votës, mbrojtjen e saj, filloi pazaret me narkoqeverinë, votoi borxhet dhe në mënyrën më skandaloze, bllokoi komisionin hetimor të zgjedhjeve duke tradhtuar në këtë mënyrë çdo demokrate dhe demokrat që votoi për PD-në. Nëse këto ishin qëndrime të papërgjegjshme e të dënueshme të drejtuesit të kësaj partie. Për PD-në, për të cilën filluan të flasin se duhet të shuhet sepse ajo është vite larg misionit të saj, sepse është shndërruar në pseudo-opozitë, këto nuk ndodhën sepse shqiptarët që e sollën më 25 prill vendosën të mbushin sallat, sheshet dhe ta rithemelojnë, ta shpëtojnë atë dhe demokracinë shqiptare!

Pak para marrjes së fjalës, një incident për Berishën teksa i drejtohej podiumit. Ish-kryeministri u pengua dhe më pas u çua në pak sekonda, i ndihmuar nga një shoqërues.

Gjithashtu, Kuvendi Kombëtar i PD-së prezantoi e më pas miratoi ndryshimet statutore, sipas të cilave, deputetët e ministrat në detyrë, kryetarët e degëve, të bashkive e të këshillave të bashkive dhe qarqeve, automatikisht bëhen anëtarë të Këshillit Kombëtar, pa votim.