Sport

Laçi ndalet në kryeqytet, Egnatia i merr barazimin me një lojtar më pak

Pas dy fitoreve radhazi, Laçi u ndal në sfidën e luajtur në kompleksin e Partizanit ndaj Egnatias. Kurbinasit nuk shkuan përtej një barazimi 1-1, edhe pse patën mundësinë për të dalë me pikët e plota nga sfida me rrogozhinasit.

Kjo sepse për pjesën më të madhe të lojës Egnatia e zhvilloi me një lojtar më pak teksa Arbin Zejnullai u ndëshkua me karton të kuq.

Mesfushori ndërhyri ashpër ndaj Roganovic me arbitrin Eldorian Hamiti që nuk e fali 24-vjeçarin. Gjithsesi, kurbinasit nuk e shfrytëzuan avantazhin numerik në pjesën e parë dhe ia dolën të gjenin rrugën e rrjetës vetëm në fraksionin e dytë. Ishte sulmuesi Saliou Guindo që shënoi në minutën e 51-të pas një asisti të Spahiut.

Gjithsesi, rrogozhinasit ia dolën të qëndronin në lojë dhe gjetën barazimin në të 62-tën me Jackson i cili shfrytëzoi më së miri një penallti dhe përballë Alen Sherrit nuk gaboi, edhe pse gardiani i kurbinasve e kuptoi krahun.

Në vijim, Laçi gjeti edhe një herë golin, këtë herë me Turkajn. Por, goli rezultoi i pavlefshëm për një pozicion jashtë loje. Pas këtij episodi, nuk pati më ndryshim të rezultatit dhe sfida u mbyll në barazimin 1-1 me Egnatian që mbetet në vendin e tretë me 43 pikë ndërsa nga ana tjetër, Laçi renditet në vendin e pestë me 40 pikë.