Bota

Lufta në Ukrainë, Zelensky: “Rusët kanë lënë mina kudo!”

Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, presidenti Zelensky thotë se “rusët kanë lënë kudo mina në rajonet veriore të vendit”. Sipas Zelensky-t “ato janë shpërndarë në shtëpi, rrugë, makina e porta, duke e bërë shumë të rrezikshëm rikthimin në zonat e shënjestruara”. Në një video-mesazh, kreu i shtetit foli për qindra mijëra objekte të rrezikshëm, mina e plumba të pashpërthyer. Po ashtu, shprehu shqetësimin për mundësinë e përdorimit të armëve kimike ruse, në një tjetër fazë terrori.

Në Mariupol gjendja është katastrofike dhe kryebashkiaku Vadym Boychenko flet për mbi 10 mijë civilë të vrarë e paralajmëron se shumë shpejt mund të arrihet në 20 mijë viktima. Ndërkohë, rusët po ripozicionohen në pjesën jugore të lumit Bug, në kufi me rajonin Kherson, në Ukrainën e jugut.

Batalioni Azov akuzon rusët se në Mariupol përdorën një lëndë helmuese me origjinë të panjohur, kundër civilëve e ushtarakëve ukrainas. Sipas anëtarëve të tij, “kjo substancë u shpërnda me dron duke iu shkaktuar të prekurve probleme me frymëmarrjen”. Më herët gjatë ditës së djeshme, Inteligjenca britanike paralajmëroi mundësinë e përdorimit nga rusët të armëve me fosfor në Mariupol.

Kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell tha se “tani për Ukrainën duhen më shumë armë”, deklaratë që për Moskën zyrtare, “ndryshon rregullat e lojës”. Për ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, “kur shefi i diplomacisë së një vendi apo organizate thotë se një konflikt specifik duhet zgjidhur me mjete ushtarake, kjo nënkupton se ka diçka personale apo foli në mënyrë impulsive duke gabuar”.

Në takimin me presidentin rus Putin, kancelari austriak Karl Nehammer theksoi se “luftës duhet t’i jepet fund, pasi në konflikte, palët kanë vetëm humbje”. Nehammer vuri në dukje se “sanksionet ndaj Moskës do të vazhdojnë përsa kohë njerëzit humbasin jetën”. Bashkëbiseduesit folën edhe për krimet e luftës në Buça e nevojën për një hetim ndërkombëtar.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden i ka ofruar Indisë mbështetje në sektorin energjetik në rast se vendos të ulë varësinë e importeve nga Rusia. Shefi i Shtëpisë së Bardhë zhvilloi një bisedë me kryeministrin indian.