Bota

Luftimet në Ukrainë nuk ndalen/Zelensky: “5 mijë viktima në Mariupol!”

Në Ukrainë, lufta që ka hyrë në ditën e 38-të vazhdon me sulme ajrore në shumë qytete, mes tyre Odesë e Lviv, ndërsa siç pohon presidenti Zelensky, “forcat ruse po grumbullohen në Donbas për të përgatitur një ofensivë akoma dhe më të fuqishme”. Sipas tij, “të paktën 5 mijë persona janë vrarë në Mariupol”. Po ashtu, vlerësohet se “rreth 170 mijë vetë ende janë atje duke u përballur me mungesa në ushqime, ujë dhe energji elektrike”.

Në rast të një sulmi kimik rus, Shtetet e Bashkuara po furnizojnë Kievin me materiale e armë hi-tech. Eshtë fjala për raketa lazer, dronë kamikazë Switchblade e dronë të lehtë të llojit Puma. Pentagoni njoftoi për një paketë ndihmash ushtarake në vlerë 300 milion dollarë. Në ditët e kaluara, presidentët Biden e Zelensky folën në telefon për ndihmën ndaj ushtrisë ukrainase, në mbrojtje të vendit.

Në një intervistë për Fox News, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, refuzoi t’i përgjigjet pyetjes nëse e urdhëroi ai sulmin e djeshëm në një depozitë nafte në Belgorod, territor rus. Zelensky vuri në dukje se “nuk komenton urdhërat që jep në cilësinë e komandantit”.

Ka gjëra që i ndaj vetëm me forcat e armatosura të Ukrainës!

Më herët, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, hodhi poshtë akuzat e Moskës, sipas të cilave, dy helikopterë ukrainas sulmuan në Belgorod.

Trupa të pajetë qytetarësh të torturuar u gjetën në Trostyanets, në rajonin Sumy në veri-perëndim të Ukrainës. Qyteza që ndodhet rreth 20 km larg kufirit me Rusinë, për një muaj qëndroi e rrethuar nga pushtuesit dhe u çlirua pak ditë më parë nga forcat ukrainase.

Gjatë natës, ushtarët rusë bombarduan në rajonet Poltava e Lugansk. Siç njofton kryebashkiaku i Poltavës, Alexander Mamay, raketat goditën infrastrukturën e zona rezidenciale në Kremenchuck e vetë Poltavën. Në Lugansk, sulmet shënjestruan 5 godina në Lysychansk e dy në Toshkivka, referuar burimeve të administratës rajonale. Në të dy rastet, nuk dihet nëse ka të lënduar apo viktima.