Rajoni

Mandatohet kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski!

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski mandatoi kryetarin e Lidhjes Social Demokrate (LSDM), Dimitar Kovaçevski për postin e kryeministrit. Kovaçevski dekretin e mori sot në kabinetin presidencial, pasi paraprakisht LSDM-ja e njoftoi përmes një letre se ka siguruar shumicën në Parlament për votimin e Qeverisë së re.

Nga sot (e mërkurë) filloj të formoj ekipin e ri me njerëz që duhet t’u përgjigjen sfidave serioze që na presin nga fillimi i vitit të ri. Qeveria e re do të ketë një synim të qartë: të ofrojë siguri, jetë më të mirë e të ardhme të ndritur për qytetarët tanë. Angazhimi im personal është të kthej besimin e qytetarëve në politikë dhe institucionet e vendit. Kjo kërkon qeverisje efikase, të ndershme e të përgjegjshme.

Kryetari i LSDM-së do të ketë 20 ditë afat që të dorëzojë për miratim në Parlament, përbërjen e re të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Kryeparlamentari Talat Xhaferi pret që Qeveria të nisë punën deri më 18 janar, pasi paraprakisht të jetë votuar në Kuvend me 61 vota. Ekzekutivi i ri do të përbëhet nga LSDM-ja, Bashkimi Demokratik për Integrim, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare, PDSH.

Pas mandatimit të Dimitar Kovaçevskit, reagoi lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, duke thënë se nga kryeministri i ri pret “vazhdimin e politikave të Zaevizmit (v.j. Zoran Zaevit), dështimet dhe mungesën e strategjisë për të ardhmen e vendit”.

Kam dëgjuar prononcimet e tij për mediat dhe asgjë nuk pres nga ai. Asnjë fjalë apo fjali nuk mund të komentoj pasi asgjë nuk ofron vazhdimi i politikave të Zaevit…shteti i robëruar dhe regjimi hibrid do të vazhdojnë.

Dimitar Kovaçevski në postin e kryeministrit pason Zoran Zaevin, i cili dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe i kryetarit të LSDM-së për shkak të humbjes në zgjedhjet lokale, që u zhvilluan më 31 tetor në Maqedoninë e Veriut.