Rajoni

Maqedoni e Veriut, partia në pushtet LSDM ka një kryetar të ri/Ja kush do ta zëvendësojë Zaevin!

Dimitar Kovaçevski zgjidhet kryetar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë së Veriut. Në këtë post zëvendëson kryetarin e deritanishëm, Zoran Zaev, i cili paraqiti dorëheqjen pas humbjes së thellë të LSDM-së në zgjedhjet lokale, më 31 tetor. Zgjedhja e Kovaçevskit, deri tani zv.ministër i Financave, u bë në kongresin e jashtëzakonshëm të socialdemokratëve. Dy kandidatët e tjerë në garë ishin Frosina Remenski e Jovan Despotovski. Ai pritet të jetë kryeministër i ardhshëm pasi Zoran Zaev paraqiti dorëheqje edhe nga drejtimi i Ekzekutivit.

Kovaçevski deklaroi:

Qytetarët duhet ta rikthejnë besimin te institucionet dhe e ardhmja e vendit e për këtë, Qeveria t’i përmbushë pritshmëritë e tyre për efikasitet më të madh në qeverisje e përmbushje të premtimeve. Çelësi është te vendosja e njerëzve të duhur në pozitat e duhura, si dhe krijimi i një sistemi, ku secili do të jetë përgjegjës për detyrat e veta. Duhet përqëndrim më i madh në nevojat reale të qytetarëve, në ato probleme që rëndojnë mbi njerëzit. Gjithashtu, nevojitet një qeverisje e përgjegjshme e një luftë e qartë kundër krimit dhe korrupsionit.

LSDM-ja që drejton qeverinë e Maqedonisë së Veriut, humbi shumicën pas largimit të Lëvizjes Besa, por u zëvendësua me Alternativën, parti e cila në zgjedhjet lokale ishte në koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët e po ashtu, nënshkruese e nismës së VMRO-DPMNE/së më 11 nëntor, për mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

Një ditë më parë u zhvillua edhe kongresi e VMRO-DPMNE/së në opozitë, ku kryetari aktual, Hristijan Mickoski u konfirmua edhe për një mandat të ri.

Suksesi ynë në zgjedhjet lokale tregon se në Maqedoninë e Veriut nevojiten ndryshime edhe në pushtetin qendror. Ato janë të pashmangshme. Populli ka pritshmëri e shpresë nga ne, ndaj duhet të bëjmë ndryshime. Jam i gatshëm të bisedoj me çdo politikan të ndershëm për një proces i ri në vend.

Por, Lidhja Social Demokrate është kundër zgjedhjeve të parakohshme, se sipas saj, “shumica parlamentare është e qëndrueshme”. Kundër zgjedhjeve doli edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, pjesë e Ekzekutivit.