Rajoni

Maqedonia e Veriut drejt qeverisë së re me emra të vjetër e të rinj!

Në Maqedoninë e Veriut, Këshilli Ekzekutiv dhe ai Qendror i Lidhjes Social Demokrate, miratuan propozimin e kryetarit të partisë, i mandatuar për formimin e qeverisë, Dimitar Kovaçevski, për kandidatët për ministra nga radhët e LSDM-së. Në listë ka emra të përmendur më parë e të tjerë që ishin surprizë.

Nikolla Tupançevski do të jetë kandidat për ministër të Drejtësisë. Ai është profesor universiteti dhe jurist i njohur. Kabineti Kovaçevski pritet të ketë katër gra: Slavica Gërkovska si zëvendës kryeministre e ngarkuar për luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Ajo ka qenë deputete e partisë në një prej mandateve të kaluara. Drejtorja e deritanishme e Inspektoratit të Punës, Jovana Trençevska do të drejtojë Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa deputetes aktuale, Bisera Kostadinovska Sojçevska, i besohet Ministria e Kulturës. Zëvendës-ministrja e Rendit, Sllavjanka Petrovska, pritet të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes.

Ndërkohë, ministri aktual i Drejtësisë, Bojan Mariçiç, kalon në Ministrinë e Integrimeve Europiane; zëvendës kryeministri për çështjet e ekonomisë, Fatmir Bytyqi, vazhdon në të njëjtin post e Lupço Nikollovski rikthehet në krye të Ministrisë së Bujqësisë. Edhe Oliver Spasovski, Bllagoj Boçvarski e Goran Milevski do të vazhdojnë të mbajnë postet e ministrave të Punëve të Brendshme, të Transportit e të Pushtetit Lokal.

Kreu social-demokrat, i mandatuar për formimin e kabinetit qeveritar, Dimitar Kovaçevski tha se “këta janë njerëz të provuar e të miratuar njëzëri nga partia”.
Kovaçevski do t’i dorëzojë nesër në Parlament propozimet me emrat e kandidatëve për ministra, ndërsa kryeparlamentari Talat Xhaferi pritet ta caktojë seancën për më 15 dhe 16 janar.

Partia Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka bërë ndryshime të përfaqësuesve të saj në qeveri, me përjashtim të zëvendësimit të ministrit për Shoqërinë Informatike me të Arsimit, që do ta drejtojë Jeton Shaqiri. Artan Grubi mbetet zëvendës kryeministër i parë; Bujar Osmani – ministër i Jashtëm; Fatmir Besimi – i Financave, Kreshnik Bekteshi – i Ekonomisë, Naser Nuredini, ministër i Ambientit Jetësor.

Ndërkohë, partisë Alternativa i lihen ministritë e Shëndetësisë e të Shoqërisë Informatike dhe një ministër pa portofol, i cili më pas do të ngarkohet me çështjen e diasporës. Shumica parlamentare ka 64 vota, të mjaftueshme për të miratuar kabinetin e ri qeveritar.

Kovaçevski theksoi se qeveria e tij do të përqendrohet te zbutja e krizës energjetike, përballja me pandeminë koronavirus dhe lufta kundër korrupsionit, ndërsa premtoi rritje të pagave e pensioneve. Po ashtu, u zotua që paga mesatare mujore të jetë 500 euro.