Sociale

Matura shtetërore 2022, njihuni me rezultatet e testimit në Gjuhën e Huaj

Dalin rezultatet e provimit të gjuhës së huaj për maturën shtetërore 2022.  Klikoni këtu për t’u njohur me rezultatin. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi bëri me dije se një pjesë e mirë e tyre kanë shkëlqyer me nota maksimale.

“I prita me padurim rezultatet e para të maturantëve tanë në provimin e gjuhës së huaj të Maturës Shtetërore dhe gëzohem që një pjesë e mirë e tyre kanë shkëlqyer me nota maksimale”, shkroi Kushi.

Ky ishte provimi i parë që dhanë mbi 33 mijë maturantë më 9 qershor, ndërsa më datë 11 qershor iu nënshtruan provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Më datë 24 është provimi i lëndës me zgjedhje. Ndërkohë opozita denoncoi se teza të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë u publikua në kohën kur nxënësit ishin në provim.

Testi i Maturës në total do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë pyetjet me zhvillim. Për sa i përket nivelit të vështirësisë 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë dhe 20 % që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.

Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 % të pikëve të testit. Vlerësimet e testeve do të bëhen brenda një kohe shumë të shkurtër për t’i dhënë mundësinë edhe maturantëve që duan të studiojnë jashtë të kenë diplomat në duar në ditët e para të korrikut.