Bota

Mbajti peng të bijën në aeroportin e Hamburgut, policia arreston babain e vajzës

Policia lokale në Hamburg ka thënë se është liruar një vajzë e vogël, e cila është dyshuar të jetë marrë peng nga babai në aeroportin e Hamburgut.

Për 18 orë, aeroporti ka qëndruar i mbyllur.

Burri e ka drejtuar makinën përtej kufizimit të sigurimit dhe ka hyrë në pistën e aeroportit në mbrëmjen e së shtunës, bashkë me të bijën katërvjeçare.

Ai më pas e ka parkuar makinën nën një aeroplan.

Në fund, ai është dorëzuar para autoriteteve “pa rezistuar”, sipas policisë, e cila e ka arrestuar.

“Fëmija duket se nuk është lënduar”, ka thënë policia përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Incidenti ka rezultuar me shtyrje dhe anulim të dhjetëra fluturimeve.

Më herët u raportua se personi i armatosur është një burrë 35-vjeçar me origjinë turke nga Saksonia e Ulët. Ai dyshohet se ka pasur një mosmarrëveshje për kujdestarinë me nënën e fëmijës dhe e ka rrëmbyer vajzën e vogël të shtunën pasdite. Bild raporton se burri dëshiron të udhëtojë me të në Turqi me avion.

Nëna kishte lajmëruar më herët policinë, duke denoncuar rrëmbimin e fëmijës. Burri qëlloi dy të shtëna në ajër dhe hodhi një koktej molotov (është një armë ndezëse e hedhur me dorë, e ndërtuar nga një enë e thyeshme e mbushur me substanca të ndezshme të pajisur me një fitil), tha një zëdhënës i policisë federale. Trafiku ajror në aeroportin e Hamburgut u ndal menjëherë me terminalet e mbyllura dhe dhjetëra fluturime të anuluara. Mbrëmë, 17 fluturime të planifikuara për t’u ulur në Hamburg, me 3200 persona në bord, u devijuan drejt aeroporteve të tjera. Për sot janë planifikuar 286 fluturime me 34500 pasagjerë.