Aktualitet

Mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve, a do të ndryshojnë masat?

Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur në këto çaste për situatën epidemiologjike në vend.  Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli njoftoi masat e reja anti-COVID që pritet të hyjnë në fuqi në vend.

Bazuar në situatën epidemiologjike, fakti se jemi në stinën e dimrit dhe shtohet mundësia për të rritur infeksionet me koronavirus, varianti Omicron e për të parandaluar përhapjen e infeksionit, nga sot, çdo qytetar mbi 18-vjeç mund të bëjë dozën përforcuese të vaksinës, 6 muaj pas të dytës. Deri më 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve e të qendrave tregtare, duhet të vaksinohen! Më 4 janar do të kërkohet certifikata e vaksinimit ose test anti-COVID, çdo 5 ditë. Nga nesër, rekomandojmë ndalimin e hyrjes së shtetasve të huaj me histori të udhëtimit 14 ditët e fundit nga Afrika e Jugut e disa vende afrikane, Angola, Kenia, Zambia, Botsvana, Senegal, për tre javë.

Masat e tjera mbeten në fuqi:

-​Ora policore vijon me orën 23:00-06:00.
-​Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
•​Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
•​Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
•​Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
•​Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.
•​Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
-​Vijon që në strukturën e aerorporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu sic është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.
-​Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.
-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.

Silva Bino u shpreh se vatrat e COVID-it janë menaxhuar nga autoritetet ndërsa apeloi që qytetarët të vaksinohen kundër koronavirusit.

Situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme në krahasim me dy javë më parë. Nuk kemi rritje të rasteve, përkundrazi kemi ulje të lehtë. Në të gjithë tre-javëshin e fundit kemi situatë të njëjtë. Ajo që vëmë re është një rritje tek grupmoshat e reja dhe pediatrike: 0-4, si dhe nga 5-15 vjeç. Kemi pasur vatra në disa shkolla, të cilat u menaxhuan siç duhet, duke u zbatuar të gjitha udhëzimet. Kemi rritje të mbulesës vaksinale, që shkon deri në 48%. Kemi rritje në bashkitë e mëdha dhe një rritje mbi nivelin kombëtar, që shkon mbi 52%. Kërkojmë të kemi një rritje të numrit të të vaksinuarve. Nga ana tjetër infeksionet, ndërhyrëse janë 10 herë më të larta, tek ata që janë të pavaksinuar. Ka filluar procesi i dozës së tretë, që po ecën me ritme të njëjta me aplikimin e dozës së parë dhe të dytë.