Art & Kulturë Celebrities Film & Tv Pardon My French

“Mbreti Lir” vjen sërish në teatër/Aktorët Sokol Angjeli, Lulzim Zeqja dhe Roerd Toçe zbulojnë më shumë detaje në TAR!

Të ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Pardon My French” kanë qenë tre aktorët e mirënjohur Sokol Angjeli, Lulzim Zeqja dhe Roerd Toçe. Ata kanë treguar më shumë detaje në lidhje me shfaqjen e “Mbreti Lir”  një nga tragjeditë më të mëdha të Uilliam Shekspir, që do të rikthehet sërish për të dytin vit radhazi.

“Mbreti Lir” është një histori e dy familjeve jofunksionale, me dinamika të ndryshme, të cilat shumë prej nesh mund t’i njohin nga afër. Është një tragjedi me pesë akte nga Uilliam Shekspir, e interpretuar në vitet 1605 – 1606 dhe e botuar në vitin 1608. Një nga tragjeditë më të mira, pjesa përshkohet nga pesimizmi dhe nihilizmi, gjë që e bën atë një vepër të preferuar të shekullit XX. Uilliam Shekspir e ngriti artin poetik në majat më të larta. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të shumta, por përfundimi është i njëjtë: vepra shekspiriane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë.

Sokol Angjeli: Është një nga kryeveprat e Uilliam Shekspir, cilësohet si vepra që i kushtohet mosmirënjohjes njerëzore. Jo vetëm unë por kritika botërore e artit e thotë diçka të tillë. 

Sa i përket historisë që do të sillet në skenën e teatrit ku Roerdi luan rolin e Edgarit, Lulzimi rolin e Edmundit dhe Sokoli që luan rolin e babait.

Sokol Angjeli: Njëri është bir i ligjshëm ndërsa tjetri është një bir i paligjshëm që ka lindur nga kënaqësia e jashtëzakonshme e babait. Por dashuria për të dy fëmijët është absolutisht e njëjtë. Problemi nuk është me këta të dy, Mbreti ka tre vajza.

Lulzim Zeqja: Edmundi nuk meriton pasuri sepse është një fëmijë i jashtëligjshëm. Ai bën çmos që të përfitojë dhe ngre një kurth.

Sokol Angjeli: Babai ndan pasurinë për vajzat dhe ato tregohen mosmirënjohëse. Shekspiri prandaj është gjenial, nuk lë dilema. Edhe në rastin kur janë dy meshkujt të cilët rivalizojnë pasurinë e të atit të tyre ai po përsëri tregon që edhe këtu është një lloj mosmirënjohje.

Roerd Toçe: Në vepër bëhet një paralelizëm midis dy familjeve. Këtu bëhet paralelizmi i luftës së pushtetit që gjithmonë është se kush do të marrë karrigen.

Lulzim Zeqja: E gjithë vepra karakterizohet nga lakmia për të pasur pasuri, se si njerëzit deformohen nga lakmia. Vepra ka dashuri brenda, ka intrigë, pasion, tradhti. Vepra i ka të gjitha.

Më tej aktori Sokol Angjeli ka shtuar për Uilliam Shekspir se:

Është njeriu që kemi 400 vite që nuk i harrojmë dot emrin sepse është i lakuar në të gjithë skenat botërore. Në të gjitha teatrot kur marrin iniciativën për të vënë Shekspirin, matin forcën nëse e përballojnë dot apo nëse nuk e përballojnë. Nga ana tjetër Shekspiri është një nga shkrimtarët prioritar nga Korifejtë e Rilindjes Europiane. Veprat e tij janë pararendës i Rilidjes Europiane. Humanizmit njerëzor. Vërtet është një shkrimtar shumë i madh. 

A ndikohen aktorët tek pjesa e pranimit të rolit? Pra a kanë ndonjë shkrimtar që nuk e duan apo ndonjë preferencë specifike?

Lulzim Zeqja: Jo, nuk kam pasur. E marr dhe e lexoj dhe jam i sigurtë që edhe nëse nuk më pëlqen në fillim më vonë do të më pëlqejë e sigurtë. 

Roerd Toçe: Pyetja e parë në tavolinën e punës, e marrjes përsipër të një roli është dërgimi i tekstit. Gjithmonë një aktor do të shikojë skenarin njëherë dhe pastaj do provojë që ta marrë rolin apo jo. 

“Mbreti Lir” rikthehet me datë 23 Nëntor në orën 19:00 premierë dhe më datë 24 në orën 21:00 dhe më pas vazhdojnë shfaqjet normalisht deri në muajin dhjetor.