Rajoni

Me Kosovën, kancelari gjerman Scholz nis vizitën dy ditore në Ballkan!

Olaf Scholz nis sot të parën vizitë në Ballkan si kancelar i Gjermanisë. Fillimisht do të ndalet në Kosovë ku pritet të takojë kryeministrin Albin Kurti, me të cilin do të japë edhe një konferencë shtypi. Po në Kosovë, krahas takimeve me drejtues të institucioneve, në axhendë ka edhe një vizitë te trupat gjermane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

Fokusi i udhëtimit do të jetë perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal. Mbi një muaj më parë, më 4 maj, Kurti ishte në Gjermani për vizitë zyrtare me ftesë të Scholz-it dhe aty u realizua i pari takim mes tyre.

Kancelari gjerman ka theksuar se “çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen hap pas hapi, me idenë që të kulmojnë në paqe e stabilitet rajonal”.

Ndër të tjera, Scholz, pati nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit. Po ditën e sotme, Olaf Scholz do të udhëtojë për në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Po ashtu do të jetë në Greqi ku në Selanik do të zhvillojë një takim me drejtuesit e vendeve të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore, një forum politik që konsiderohet si ombrella politike e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Kryesinë e SEECP-së e ka Greqia. Nesër planifikon të vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, në kuadër të turit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me rastin e vizitës së kancelarit gjerman Olaf Scholz, sot do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve. Kjo pritet të ndodhë në intervale të shkurta kohore dhe prek segmentet ku duhet të kalojë eskorta.

Në njoftim thuhet se policia do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror gjerman në Kosovë.