Rajoni

Mesazhi amerikan për liderët e Ballkanit: Me planin e BE-së, askush nuk mund të pengojë përparimin e një pale!

Liderëve të Ballkanit Perëndimor të mbledhur në Shkup, James O’Brien iu tha se asnjëherë nuk kanë qenë më afër anëtarësimit europian, por ende kanë punë përpara. Këto deklarata, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, i bëri në nisje të konferencës “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, që po mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Zyrtari amerikan i paralajmëroi udhëheqësit e rajonit se nuk do të kenë mundësi të pengojnë rrugëtimin e njëri-tjetrit, pasi nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura e se kushdo që përpiqet të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.

Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit.

O’Brien tha se mbështetet nismën e një tregu të lirë mes vendeve të rajonit, duke përmendur pengesat e deritanishme të bizneseve nga ndalesat e shumta kufitare. Sipas tij, plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake.

Plani i BE-së për rritje nuk është si planet tjera që kemi parë deri tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma e të merrni buxhet më vonë, por gjithashtu thekson që nëse bëni reformat e duhura,  kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë lirinë e BE-së shumë shpejt, lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të doni.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, si dhe kryerjen e investimeve që mund të çojnë përpara procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Për periudhën 2024-2027, BE-ja ndau 6 miliardë euro për këtë plan.

Ndërkaq, drejtori i Komisionit Europian për Fqinjësinë, Gert Jan Kopman, kërkoi angazhim të madh të liderëve të Ballkanit për rrugën përpara.

Ne i kemi përveshur mëngët që t’ju ndihmojmë. Jam i inkurajuar nga përkushtimi juaj dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qeveritë e rajonit vlerësojnë se ky është një prioritet i lartë e gjithashtu vetëm nëse sigurohen se ndryshimet po ndodhin. Pikërisht, logjika thotë se ne do t’ju ndihmojmë që të integroheni, nëse ju integroheni në tregun e brendshëm.

Kjo është e një rëndësie absolute, sepse pa një integrim të tillë në rajon, ju thjesht nuk do të mund të shfrytëzoni mjaftueshëm përfitimet nga tregu i brendshëm. Këto janë dy çështje që shkojnë bashkë ndaj kemi vendosur një kusht në këtë plan të rritjes e që thotë se ju nuk duhet të bllokoni fqinjët. Duam të vini me ne. Nëse nuk i bllokoni fqinjët do t’ju pranojmë, por nëse i bllokoni, atëherë nuk do të kemi qasje në tregun e brendshëm, pasi kostot nga mosbashkëpunimi janë shumë të mëdha.