Art & Kulturë Film & Tv

“Mummies” një tmerr i animuar që do doja mos ta kishin parë fëmijët e mi! Kritikë.

Një aventurë e mijëra viteve më parë në Egjiptin e lashtë udhëton në kohët e sotme. Historia nis me Thut (Joe Thomas) është një garues me karrocë me kuaj deri kur një aksident e bën atë një hero të së shkuarës. Ecim shpejt në ditët tona, Lord Carnaby (Hugh Bonneville), një arkeolog pompoz është në kërkim të famës duke vjedhur thesare të së shkuarës. Aty krejt papritmas zbulon që bota e Mumjeve ekziston ende, në një qytetërim të fshehur. Në sarkofagun e Princeshës Nefer (Eleanor Tomlinson) ai nuk gjen asgjë, përveçse një sekreti të ruajtur mirë. Thut papritmas do të peshkohet nga jeta e anonimatit i zgjedhur si bashkëshorti i Princeshës, dy karaktere në dukje të ndryshëm por në thelb shumë të ngjashëm. Në aventurën e tyre për të shpëtuar amanetin e Faraonit ata udhëtojnë në Londrën e ditëve të sotme në një betejë me të keqin Lord Carnaby dhe ndihmësit e tij, duke zbuluar anë të njëri-tjetrit që nuk i njihnin.

Edhe pse animacioni në film është i rrjedhshëm dhe disa prej ndërveprimeve janë argëtuese, si ajo e Neferit me mbretëreshën, apo e vëllait të Thut me kafshën e tij shtëpiake, një krokodil i vockël, shumica e zgjedhjeve të bëra për këtë film janë të tmerrshme. Shumicën e kohës pyetjet e shikuesve të mëdhenj e të vegjël është “Pse e bënë atë?!” Si përshembull karroca me kuaj romake në një arenë romake e vendosur në egjipt, apo boomerangu austrialian, e të tjera si këto të cilat nuk kanë asnjë kuptim dhe mbi të gjitha nuk i shërbejnë ‘target-audiencës’ që i dedikohen, e cila ndihmohet nga filmat, librat për të mësuar fakte historike përmes këtyre lloj argëtimesh.

Filmi përmban referenca erotike disi të tepruara si edhe një cektësi të personazheve të cilat janë më keq se dy-dimensionale. Personazhe të cilat as i njeh, për të cilët nuk provon asgjë, të cilët nuk të shkaktojnë asnjë lloj emocioni.

Mes zhurmës, ngjyrave, një fëmijë 4 apo 6 vjeç mund të përhumbet, por ka një kotësi në të gjithë kohëzgjatjen e filmit, i cili ngjan si i shkruar në kohën që i ngelej një skenaristi i cili po punonte paralelisht për një dokumentar me tre pjesë të lashtësisë, një film soft-porno dhe live-t në grup në Tik-Tok për personazhe të reality-show-ve në televizor.

I ngjashëm me “The Bad Guys”, por me kolonë zanore të padëgjueshme (kanë nxjerrë nga varri Nickleback bashkë me Mumjet, meqë ra fjala), “Mummies” do ishte mirë të kishte ngelur në sarkofagun e Warner Bros. dhe të mos ishte materializuar kurrë, sepse në rastin më të mirë janë para të çuara dëm – në rastin më të keq është kohë e çuar dëm.

88 minuta nga jeta ime që nuk do t’i kthej dot kurrë më. Pfff