Auto & Moto Bota

Musk siguroi reklamuesit për të ardhmen e Twitter-it, por General Motors nuk bindet!

Blerja e shërbimit të mesazheve në Twitter nga Elon Musk bëri që prodhuesi amerikan i automobilave General Motors Co të ndalojë reklamat në platformë. General Motors Co njofton se përkohësisht pezulloi reklamat me pagesë në Twitter, duke theksuar se “dëshiron më shumë informacion mbi drejtimin e platformës së mediave sociale nën pronësinë e saj të re”.

Lëvizja erdhi pasi miliarderi dhe CEO i Tesla-s, Elon Musk përfundoi blerjen prej 44 miliardë dollarësh të Twitter-it e që kaloi mes shumë vështirësish e pasigurish, deri në finalizimin më 28 tetor.

Ndërkohë, njeriu më i pasur i botës siguroi reklamuesit në Twitter për të ardhmen e platformës, por jo të gjithë janë të bindur, të paktën për momentin dhe rasti i prodhuesit General Motors e dëshmon këtë. E kur flitet për Twitter-in me pronar sipërmarrësin afrikano-jugor të natyralizuar në amerikan, të shumtë janë që pyesin se çfarë do të bëhet të larguarit? A do të rikthehen? Mes emrave të njohur, të cilëve drejtuesit e mëparshëm iu bënë dalje, spikasin Donald Trump e Kanye West. Madje, ish-presidenti amerikan nuk e fshehu gëzimin që Twitter ndërroi pronar, duke iu hequr atyre që i cilësoi “radikalë të majtë, të çmendur”.

Në Twitter, ekspertë të njohur të krahut të djathtë postuan fjalë të tilla si “ivermectin” dhe “Trump fitoi”, për të parë nëse do të penalizoheshin për përmbajtjen. Ivermectin, ilaç i lirë që vret parazitët te njerëzit dhe kafshët është promovuar nga disa ligjvënës republikanë e drejtues konservatorë të emisioneve, si një mënyrë efektive për të trajtuar COVID-in. Por, ekspertët e shëndetit shprehen se ka prova të pakta për të mbështetur besimin se ilaçi funksionon.

Në një letër që synon të qetësojë frikën e reklamuesve, Musk u zotua se Twitter-i nuk do të jetë “peizazh ferri i lirë për të gjithë, ku çdo gjë mund të thuhet, pa pasoja”.