Bota Botë e Çuditshme

Namibi, zbulohen gjurmë të njerëzve dhe kafshëve në shkëmbinj!

Gjurmë të njerëzve dhe të kafshëve të Epokës së gurit janë zbuluar në gdhendjet e shkëmbinjve në Namibi të Afrikës. Ato u mundësojnë ekspertëve të rindërtojnë, në mbi 90% të rasteve, jo vetëm specien, por edhe moshën dhe gjininë, duke u bërë një lloj enciklopedie e lënë nga artistët e Epokës së Gurit. Këto gjurmë dolën në dritë dhe u studiuan nga kërkimi i koordinuar nga Instituti gjerman Heinrich Barth në Këln.

Modelet e identifikuara në gdhendjet e lashta shkëmbore ndoshta rrjedhin nga ndikimet kulturore, por kuptimi i tyre mbetet ende i panjohur. Gdhendjet e gjurmëve të kafshëve dhe gjurmëve të njeriut shfaqen në tradita të shumta të artit shkëmbor parahistorik në mbarë botën. Namibia është e pasur me to, por deri më tani ka pasur shumë pak kërkime në lidhje me to.

Për të hedhur pak dritë mbi këtë temë, studiuesit e udhëhequr nga Tilman Lenssen-Erz kërkuan ndihmë nga vendasit e shkretëtirës Kalahari, të cilët janë ekspertë në gjurmimin, për të analizuar gjurmët e gdhendura në gur. Gdhendjet janë aq të detajuara sa vendasit mundën të gjenin edhe putrën e saktë në më shumë se 90% të 513 gdhendjeve të analizuara. Puna e tyre tregoi se arti prehistorik i shkëmbinjve kishte diversitet më të madh në kafshët e përshkruara përmes gjurmëve, sesa në gdhendjet e vetë kafshëve. Për më tepër, artistët kishin një preferencë të qartë për specie të caktuara dhe kishin më shumë gjasa të përshkruanin kafshë të rritura të seksit mashkull.