Bota

Natë ferri për Odesën në Ukrainë, rusët nuk ndalen!

Për të dytën natë radhazi, një sulm masiv ajror goditi portin ukrainas të Odesës. Një zyrtar ukrainas e përshkroi si “ferr”. Megjithatë, Kievi zotohet që të vazhdojë punën për eksportin e drithërave.

Sulmi ishte shumë i fuqishëm dhe me të vërtetë masiv. Ishte një natë si në ferr.

Pas shpërthimit në një urë që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, për të cilin Moska fajëson Ukrainën, shteti rus u zotua për hakmarrje dhe nisi sulmet në Odesa. Siç dihet, Odesa është porti më i rëndësishëm për eksportet e grurit të Ukrainës.

Pak pas ngjarjes së urës, Moska u tërhoq nga marrëveshja e drithërave përmes Detit të Zi dhe që kishte lehtësuar një eksport të sigurt të grurit të Ukrainës për një vit. Kombet e Bashkuara shprehën shqetësimin se ky veprim rrezikon të krijojë uri në mbarë botën.

Ata po përpiqen ta trembin të gjithë botën, veçanërisht duan të punojnë për korridorin e grurit… Ukrainën, Turqinë dhe Kombet e Bashkuara.

Pjesa më e madhe e Ukrainës ushtonte nga alarmet për sulme ajrore, duke filluar menjëherë pas mesnatës, me Rusinë që goditi dhe qytete të tjera, përfshirë një sulm me dronë në Kiev.

Ishte një natë e vështirë nga sulmet ajrore për të gjithë Ukrainën, veçanërisht në jug, në Odesa. Kievi u sulmua dhe sipas informacioneve paraprake ka dëme e mund të ketë viktima.

Rusia nuk i ka komentuar sulmet, por ekspertët ushtarakë pro-Kremlinit thanë se Moska ka përdorur një kombinim të raketave dhe dronëve për të sulmuar Odesën e rajonet e tjera.

Mbi 2 mijë njerëz u evakuan dhe një autostradë u mbyll pas një zjarri që shpërtheu pranë një baze ushtarake të stërvitjeve në distriktin Kirovske në gadishullin e Krimesë. Guvernatori i Krimesë i mbështetur nga Rusia, Sergei Aksyonov nuk dha informacione se për çfarë arsyesh u shkaktua zjarri, që po ashtu çoi në mbylljen e pjesshme të autostradës kryesore Tavridy.

Kanalet e Telegramit të Rusisë, të lidhura me shërbimet ruse të sigurisë dhe mediat ukrainase raportuan se një depo municioni ishte duke u djegur pas një sulmi ajror ukrainas gjatë natës. Ndërkaq, brenda natës, Rusia nisi një sulm ajror në portin ukrainas të Odesës, për të dytën natë me radhë. Gjithashtu, ushtria e Ukrainës bëri të ditur se një sulm me dron në Kiev u zmbraps me sukses mëngjesin e sotëm.