Bota

NATO, jo dërgimit të trupave në Ukrainë nëse pushtohet nga Rusia!

“Nëse Rusia pushton Ukrainën, NATO nuk do të dërgojë trupa në këtë shtet”. Kjo u bë e ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, në një intervistë të transmetuar sot nga BBC.

Ne nuk planifikojmë të dërgojmë trupa luftarake të NATO-s në Ukrainë… po fokusohemi në ofrimin e mbështetjes. Ka dallim mes një vendi anëtar i NATO-s dhe një vendi të vlefshëm partner, siç është Ukraina.

Komentet e Stoltenberg-ut vijnë në kohën e rritjes së tensioneve mes NATO-s e Moskës, pasi Rusia ka pozicionuar mbi 100 mijë trupa pranë kufirit me Ukrainën, çka rrit shqetësimet për pushtim.

Kremlini mohon planet për pushtim dhe ashtu si në vitin 2014 kur mori kontrollin e Gadishullit ukrainas të Krimesë, nguli këmbë në negociatat e fundit me Uashingtonin e NATO-n, për disa garanci, që Ukraina dhe ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, të mos anëtarësohen në Aleancë.

Ukraina synon t’i bashkohet, por ende nuk ka plan veprimi për anëtarësim në NATO. Ndërkohë, Aleanca thotë se “politika e saj për dyer të hapura nuk negociohet” dhe Amerika thekson se “shtetet sovrane kanë të drejtë të vetëvendosin për aleancat e tyre ushtarake”. Pas përgjigjes së SHBA-ve ndaj kërkesave të Moskës, presidenti rus, Vladimir Putin i tha homologut francez, Emmanuel Macron se iu duk se Perëndimi “i shpërfilli” shqetësimet e Moskës për siguri.

NATO deklarohet e përgatitur për të rritur praninë në vendet anëtare të Europës Lindore nëse Rusia pushton Ukrainën dhe disa shtete të Aleancës ofruan pajisje ushtarake për Kievin. Uashingtoni synon zgjidhje diplomatike për krizën dhe kërkon që Rusia të largojë praninë ushtarake në afërsi kufirit me Ukrainën.

Në javët e ardhshme, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov pret të takojë Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për një tjetër raund negociatash. Por më parë, Putin duhet të vendosë si të përgjigjet ndaj pozicionit amerikan për kërkesat e Moskës.