Bota Rajoni

Në Bruksel, krahas Ukrainës edhe Ballkani Perëndimor në fokus!

Në katër samitet e mëdha të ditës së sotme në Bruksel, me kryefjalë agresionin rus në Ukrainë, flitet edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor. Dy të parët ishin të NATO-s e të G7-ës, për të vijuar me takimin e Këshillit Europian me presidentin amerikan Biden dhe në fund me mbledhjen 2-ditore të Këshillit Europian.

Në konferencën për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i përmendi edhe Bosnje Hercegovinën e Gjeorgjinë, duke thënë se “aleatët duan që këto shtete të forcojnë qëndrueshmërinë e tyre dhe sovranitetin e integritetin territorial”.

Lufta në Ukrainë është kriza më e madhe e sigurisë në breza. Ne kemi aktivizuar planet e NATO-s për mbrojtje, angazhuam elemente të Forcës së Reagimit dhe vendosëm 40 mijë trupa në krahun tonë lindor. Ne po rrisim qëndrueshmërinë e shoqërive tona dhe infrastrukturës sonë për të luftuar ndikimin e dëmshëm të Rusisë.

Ndërkaq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç foli për Kosovën dhe Serbinë e kërkoi që kësaj të fundit, t’i ofrohet një perspektivë e qartë perëndimore.

T’i ofrohet në mënyrë më të qartë në këto rrethana dhe nëse e kupton mirë, e nëse jo, jo! Por ky është një rast, i cili nuk duhet të humbasë.

Për fat të keq, Kosova ende nuk është njohur nga katër shtete të NATO-s, për arsye të pakuptimta e të vjetërsuara. Kam bërë ftesë për një dialog më serioz me Serbinë.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, pritet që përkushtimi për bashkëpunim trans-atlantik të përfshijë edhe vazhdimin e punës së përbashkët në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Si në BE, ashtu edhe në NATO, disa herë kanë tërhequr vërejtjen për kujdes në rajonin e Ballkanit, për të parandaluar që lufta në Ukrainë të ketë ndikim negativ në rajon. Shqetësimi më i madh ka qenë për situatën në Bosnje e Hercegovinë, por edhe për raportet mes Kosovës e Serbisë.

Bosnja e Hercegovina është mes temave në samitin e BE-së. Një prej pikave, për të cilat diskutohet vazhdimisht në Bruksel e pritet të përmendet edhe në samitin e BE-së është përshtatja e vendeve të rajonit të Ballkanit me qëndrimet e Bashkimit Europian në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Kjo çështje është posaçërisht e ndjeshme në mbështetjen e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat i kanë përkrahur të gjitha vendet e rajonit me përjashtim të Serbisë.

Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione ndaj më shumë se 400 personave dhe subjekteve, përfshirë oligarkë rusë, politikanë e kompani të mbrojtjes në lidhje me pushtimin e Ukrainës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, gjithashtu Amerika do të mirëpresë 100 mijë refugjatë që ikin nga lufta në Ukrainë dhe do të ofrojë më shumë se një miliard dollarë ndihmë humanitare për vendin.