Aktualitet

Në burg për shitblerje vote, Fredi Beleri kërkon të shpallen të paligjshme përgjimet!

Fredi Beleri, i cili ndodhet pas hekurave për shitblerje vote ka ankuar vendimin e Gjykatës së Vlorës që lejoi përgjimin e tij me audio dhe video për shkëmbimin e parave në këmbim të 8 votave. Avokatët e kandidatit fitues në zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë Himarë kërkuan që përgjimet e realizuara me urdhër të Prokurorisë të shpallen të paligjshme.

Çfarë treguan përgjimet
Pazari për votat që kërkonte kandidati i dyshes Berisha Meta është dokumentar. Ndihmësi i Belerit shkoi me 40 mijë lekë për 8 vota, që do ia conte bashkëpunëtorin e drejtësisë. Ky i fundit u vonua në takim dhe në një moment ndihmësi e telefonon Belerin duke i treguar se personi nuk gjendej aty. Beleri shprehet “prit një minutë” dhe më pas bashkëpunëtori i drejtësisë shfaqet në vendtakim për të marrë paratë nga ndihmësi i Belerit. Paratë për 8 vota u dhanë në një ËC dhe se ky moment është vetëm me audio dhe jo i filmuar dhe me kamera sikurse takimet e tjera nën vëzhgim nga një grup i Policisë së Shtetit.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.

Po ashtu, Beleri sipas organit të akuzës, u premtonte se do t’i përfshinte në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe të pensionit nga shteti grek. Ndërsa përmes bashkëpunëtorëve të tij dyshohet se paguante shuma nga 50 deri në 200 euro për një votë në favor të tij. Pavarësisht hetimeve të nisur ndaj tij, Fredi Beleri mori Bashkinë e Himarës me 19 vota më tepër, përballë kandidatit socialist Jorgo Goro.